Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken i bëri sërish thirrje Kosovës dhe Serbisë të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për uljen e tensioneve në veri të Kosovës. Ai paralajmëroi se situata aktuale i pengon proceset e integrimit euroatlantik për të dyja vendeve.
Duke folur pas një takimi të ministrave të jashtëm të NATO-s në Oslo, Blinken tha se shumë aleatë u shprehën të shqetësuar për tensionet në veri të Kosovës.
“Ne u bëjmë thirrje qeverive të Kosovës dhe të Serbisë që të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të ulur tensionet”, u tha Blinken gazetarëve.
Blinken ka shprehur shqetësimet e tij lidhur me situatën e krijuar në veri të Kosovës disa herë, duke i bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që t’i kthehen dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve.
