Një vrasje tronditi mbrëmë më 21 prill qytetin e vogël të Memaliajt, ku D.N vrau 29-vjeçarin Endri Goxhaj, ndërsa ka mbetur i plagosur edhe vëllai i autorit të krimit.
Dyshohet se viktima Endri Goxhaj ka pasur një konflikt të hershëm me autorin. Vrasësi i dyshuar dhe viktima kanë pasur përplasje me njëri-tjetrin dhe janë konfliktuar në qendër të qytetit shumë pranë një lokali, aty ku më pas sherri ka degraduar deri në përdorimin e armës nga 29-vjeçari D.N. Nuk dihen arsyet se përse edhe vëllai i D.N është plagosur. Thuhet se ai ka marrë gjatë konfliktit 4 plumba.
I është nënshtruar dje një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe është jashtë rrezikut për jetën. Policia është në kërkim të autorit, që është arratisur pas vrasjes. Janë shoqëruar pranë Komisariatit të Policisë rreth 12 persona, që janë dëshmitarë dhe të afërm të individëve të përfshirë. Ata kanë thënë se nuk kanë dijeni se përse ka lindur ky sherr. Autori njihet nga policia, pasi ka precedent të mëparshëm. Të dy nuk janë të panjohur për policinë dhe drejtësinë.
