Ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, Haki Abazi, i ftuar në emisionin “Real Story”,tha se Albin Kurti ka tentuar në gjithë këto vite të shkatërrojë demokracinë funksionale.
Ai theksoi se Kurti nuk ka treguar në asnjë moment vullnet politik për ndërtimin e institucioneve të qëndrueshme dhe funksionale, as në Kuvend dhe as në ekzekutiv, duke shtuar se nuk ka indicie për angazhim në zgjidhje afatgjata.
“Vjosa Osmani, pas tërheqjes nga LDK, krijoi listën “Guxo”, të cilën më pas, në proces, Kurti ia gllabëroi. Osmani luajti rol kyç në përcaktimin e datës së zgjedhjeve, që ishte goditja më e rëndë ndaj demokracisë në Kosovë, duke krijuar një përfaqësim në Kuvendin e Republikës që nuk është as real dhe as i sinqertë në përcaktimin e pozicionit të partive politike. Thënë këto, kjo është një mundësi e jashtëzakonshme për kthimin te demokracia funksionale, të cilën Kurti, dalëngadalë, ka tentuar ta shkatërrojë.
Para se të shkojmë te zgjedhjet, jemi në një moment kur është dekonstruktuar loja e Kurtit për herë të parë, duke tentuar të fusë familjen Jashari në lojë për ta hequr komplet nevojën për një dialog politik të domosdoshëm me partitë opozitare.
Kjo absolutisht do ta mpinte të gjithë trupën elektorale dhe mundësinë e një debati.
Kurti nuk ka pasur në asnjë moment vullnet politik për të krijuar institucione të qëndrueshme dhe funksionale, as në Kuvend e as në ekzekutiv, dhe kjo shprehet në mënyrë të qartë. Nuk ka pasur asnjë indicie që Kurti është i interesuar për zgjidhje të qëndrueshme.”, tha ai.
