Prokuroria për Krimet e Rënda ka përfunduar hetimet për ish-Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, Arben Çuko, i cili akuzohet se në bashkëpunim me katër persona të tjerë, kanë favorizuar një person të dënuar për ta transferuar nga burgu i Burrelit në burgun e Fierit.
Krimet e Rënda zbuluan rastin e korrupsionit në burgje nga përgjimet që po kryenin gjatë një tjetër hetimi për një grup të strukturuar kriminal në fushën e trafikut të drogës që kishte nisur që në vitin 2016.
Nga hetimet proaktive të kryera me metoda speciale të hetimit, si përgjimet telefonike, ambientale dhe vëzhgime, ka rezultuar se një grup personash, banorë të qyteteve të ndryshme të vendit, vepronin në formën e veçantë të bashkëpunimit në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, me qëllim kryerjen e veprave penale të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, trafikimit të narkotikëve nga Shqipëria në drejtim të shteteve të Bashkimit Evropian.
Si rezultat i përdorimit të këtyre metodave të hetimit, nga përgjimi i bisedave telefonike të të pandehurve Arben Çuko, Artur Balla, Qerim Musha, Olsi Karagjozi, Denis Llaftiu, është dokumentuar veprimtaria e kundërligjshme e këtyre personave, të cilët kundrejt dhënies dhe përfitimit të paligjshëm në vlera monetare dhe materiale, kanë realizuar transferimin e të dënuarit Olsi Karagjozi nga vendi i vuajtjes së dënimit në IEVP Burrel, në një vend tjetër vuajtje dënimi, sipas preferencës së vetë të dënuarit, në IEVP Fier.
Prokuroria shpjegoi se më parë, po në kuadër të hetimeve për procedimin penal nr. 339 të vitit 2016, është paraqitur kërkesa për gjykim të 12 të pandehurve të tjerë dhe ndodhen për gjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, akuzuar për veprat penale“ Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, në bashkëpunim, “ Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuara nga nenet 283/2, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.
Të pandehurit
1. Arben Çuko (Ish Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve), akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal.
2. Qerim Musha, akuzuar për veprën penale“Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 245, 25 i Kodit Penal.
3. Olsi Karagjozi, person që po vuan një dënim të mëparshëm, i akuzuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 245, 25 i Kodit Penal.
4. Artur Balla, i akuzuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 245, 25 i Kodit Penal.
5. Denis Llaftiu, i akuzuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, në bashkëpunim, parashikuar nganeni245, 25 i Kodit Penal.