Është mbyllur pa incidente takimi elektoral që Kryeministri Edi Rama zhvilloi me banorët e Shkodrës mbrëmjen e kësaj të enjte. Ndonëse protestues të Partisë Demokratike të udhëhequr nga Voltana Ademi zhvilluan një marshim që përfundoi në një anti-miting ku pati tension edhe përplasje për një moment me forcat e policisë, gjatë kohës që Edi Rama mbajti takimin elektoral, gjithçka është zhvilluar pa incidente. Gjatë fjalës së tij, Rama iu drejtua qytetarëve të Shkodrës me një pyetje retorike “çfarë interesi keni ju që të shkoni të hidheni në zjarr për Voltana Ademin?”, tha Rama. Më tej, ai u përmendi qytetarëve se Shkodra ka nevojë për një ndryshim rrënjësor, duke e cilësuar këtë betejë si një sfidë personale për të në katër vitet e ardhshme.
“4 vjet më parë ju thash vlonjatëve se ishte koha për të hapur një kapitull transformimi dhe kushdo e sheh Vlorën sot krahasur me 4 vjet më parë, e ka të vështirë ta njohë. Ndërsa sot ju them gjithë shkodranëve që Shkodra e 4 viteve të ardhshme është sfida ime personale për të bërë së bashku me Valdrinin më shumë në thuajse në 30 vite të marra së bashku nën drejtimin e atyre që sot kanë dalë në rrugë të madhe dhe nuk dinë më se cfarë kërkojnë tjetër përvec kërcënimeve, shantazheve, molotovëve dhe kaosit”, u shpreh Rama.
Kryeministri, duke e cilësuar Voltana Ademin kryetaren e bashkisë më të paaftë, majtas dhe djathtas, në 30 vite, shprehu keqardhjen që nuk ka mundësi që ndëshkimin ndaj saj të vite me votë në një garë alternativash. Më vjen shumë keq sinqerisht që nuk na u dha mundësia që drejtuesit, në këtë rast është drejtuese, më të paaftë që është ulur ndonjëherë në karrigen e një kryetari bashkie të majtë apo të djathtë në të gjitha vitet e shtetit shqiptar që nga koha koha kur për erë të parë është hapur dera e një bashkie, t’i jepnim mësim të merituar me votë në një garë alternativash, kandidaturash dhe ballafaqimi demokrat. Kjo nuk është në dorën tonë, këtë nuk e zgjodhëm ne. Ky nuk ishte as plani as qëllimi ynë”, tha Rama.
Gjatë fjalës së tij, Rama bëri një moment pauze, nuk e ndalën protestuesit e Voltanës, por thirrja e Ezanit, që lajmëronte besimtarët myslimanë për faljen e mbrëmjes. Pasi kësaj, Rama shfrytëzoi momentin ku ironizoi përsëri Lulzim Bashës, pasi ky i fundit gjatë kohës që mbante fjalim në protestat e muajit maj, thoshte “të mbajmë një minutë heshtje për të respektuar besimtarët që agjërojnë. “Një stadium Shkodra sot e ka nga unë. Më vjen turp kur vijnë të huajt dhe kthejnë kokën dhe shohin atë garazhin e Voltanës. Një projekt për vijën e liqenit, për ti dhënë Shirokës atë që i ka munguar, është i bllokuar projekti se Voltana nuk bashkëpunon. Për këtë do shkoni në luftë ju? çfarë fiton Shkodra nga kjo histori? Por ju çfarë fitoni (thirret ezani, Rama ndërpret fjalën). Po qeshja me Valdrinin se thoshte se Luli mbante një minutë heshtje për myslimanët që agjërjonë”, tha Rama.
Duke ripërsëritur para qytetarëve shkodranë se opozita i trembet drejtësisë për pjesëmarrjen në zgjedhje, Rama u kujtoi atyre që janë bërë pjesë e akteve të dhunës, se ndëshkimi do të vijojë edhe pas 30 qershorit. “Krijohet idea sikur këtu gjithçka është një luftë deri në 30 qershor. Unë them që drejtësia do vazhdoi të kërkojë fajtorët e gjithë kësaj situate edhe pas 30 qershorit. Ata që janë punonjës bashkish, apo të policisë bashkiake, që shkojnë i bien murit me kokë, këtu do jen pas 30 qershorit. Si ai i verbri këtu që u nis për në emision dhe përfundoi në komisariat”, tha ndër të tjera Rama.