Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi kanë mbajtur të njëjtin qëndrim në lidhje me protestën e 21 qershorit. Ato thanë se askujt nuk do i preket asnjë fije floku gjatë protestës ditën e premte, gjatë prononcimit në një media televizive, ndërsa theksuan se janë marrë masa edhe për të shmangur provokacionet e mundshme që mund të ndodhin.
Gjatë fjalës së tij Basha tha se do të jenë në protestë me familjen dhe vajza e tij, duke treguar se në protestë nuk do të ketë asnjë lloj kërcënimi për qytetarët, të cilët do i bashkohet. “Unë nesër do të dal në protestë me familjen time, me dy vajzat e mia dhe u bëj thirrje të gjithë shqiptarëve të vijnë me fëmijët e tyre, me bashkëshortet e tyre, sepse do të jetë protesta më e madhe dhe më qytetare që ka njohur ndonjëherë Shqipëria.”
Basha tha se nuk do të lejojnë që në protestë të ndodhin provokacione që padrejtësisht i adresohen opozitës, duke shtuar se nuk do t’i preket asnjë fije floku asnjë polici apo qytetari. “Përpjekjet për të amnistuar krimet me të cilat është kapur në flagrancë Edi Rama, duke inkriminuar opozitën kanë dështuar tashmë. Nuk do të ketë absolutisht asgjë që të kërcënojë një fije floku të një qytetari apo të një punonjësi të ndershëm të rendit. Kemi marrë të gjitha masat për të neutralizuar çdo provokator të qeverisë në bashkëpunim me shërbimet inteligjente të vendeve partnere në Tiranë me të cilët kam qenë në komunikim sot dhe dje.” – tha Basha
Në të njëjtin linjë ishte edhe kryetarja e LSI, Kryemadhi, e cila theksoi se protesta do të jetë paqësore dhe se opozita do e menaxhojë me përgjegjshmëri të plotë. “Protesta do të jetë paqësore, do ta menaxhojmë me përgjegjshmëri të plotë. Nuk kanë faj policët e shtetit. Mos harroni që nuk është më tashmë në dorën tonë, çdo ditë që Rama provokon populli aq më shumë irritohet.”