Paqja e protestës, Bashës, por fiton retorika e Berishës: Rama ik, zgjedhjet do t’i prishim

Më të fundit


Protesta e nëntë e opozitës, ndryshe nga protestat e tjera, ka qenë paqësore, ashtu siç ishte paralajmëruar publikisht nga lideri demokrat Lulzim Basha, i cili për të provuar këtë, kishte marrë me vete me gruan dhe dy vajzat e tij në protestë. Ky tubim vjen në një situatë mjaft të tensionuar politike, vetëm 9 ditë para zgjedhjeve të 30 qershorit, të cilat opozita e dalë jashtë parlamentit i ka bojkotuar ndërsa Presidenti Ilir Meta i ka anuluar me një dekret që nuk është përfillur nga mazhoranca. Edhe para kësaj proteste, ashtu si herët e tjera, ndërkombëtarët njëzëri kanë apeluar për protestë paqësore, shmangie nga dhuna dhe përdorimi i bombave molotov dhe mjeteve të tjera jopaqësore.

Në këtë protestë, dy liderët e partive opozitare, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi u shfaqën bashkë, por me qëndrime të ndryshme sa i përket sulmeve të dhunshme gjatë javës ndaj KZAZ-ve, ku bashkitë e drejtuara nga PD dhe LSI nxorën në terren administratën, policinë bashkiake e deri tek forcat zjarrfikëse për të sulmuar KZAZ-të e ngritura për administrimin e zgjedhjeve vendore në disa qytete. Ky veprim erdhi pas dekretit të Presidentit Meta, që sipas tij ishte bërë për të qetësuar palët dhe për të zgjidhur krizën politike. Por Monika Kryemadhi, ndryshe nga sa ka qenë qëndrimi i bashkëshortit të saj, i cili nuk ka bërë asnjë deklaratë për dënimin e dhunës ndaj KZAZ-ve si President i Republikës, u distancua nga këto akte dhune, duke dhënë një sinjal tërheqjeje pas mesazheve të ambasadorëve të shteteve të BE-së. Kryemadhi tha se është kundër djegies së materialeve zgjedhore. “Distancohem nga çdo lloj dhune në KZAZ. Jam kundër djegies së materialeve që janë blerë me lekët e taksapaguesve shqiptarë”, u shpreh ajo.

Ndërkohë Basha, në fjalën e tij para protestuesve, i mori në mbrojtje sulmet ndaj KZAZ-ve dhe i bëri thirrje qytetarëve qe deri ne 30 qershor te mblidhen dhe te mbrojnë rendin kushtetues. Ndryshe nga Kryemadhi, ai dërgoi një mesazh edhe për ndërkombëtarët, ku shtoi një tjetër kusht për zgjidhje politike. “Përfaqësuesve perëndimorë dua t’u them se standardi europian i kësaj zgjidhjeje kalon përmes dy hapave të panegocieshëm. Nuk ka zgjidhje politike pa largimin e Edi Ramës dhe pa nxjerrë nga qelitë vëllezërit dhe motrat tona, se janë aty se protestuan për Europën, për Amerikën”, deklaroi Basha.

“Ta dijë mirë Edi Rama se nuk ka zgjedhje më 30 qershor. Aleanca qytetare është në këmbë, beteja vazhdon qytet më qytet dhe fshat më fshat. Çdo tentativë për të provokuar shqiptarët do të dështojë, ndërsa 30 qershori do të jetë varreza politike e Edi Ramës dhe e Rilindjes. Këto mesazhe të qarta, që shumëkush prej jush i di fare mirë, i bëjmë sonte të qarta për këdo që nuk i di, nuk do të ketë më në Shqipëri zgjedhje me Edi Ramën, nuk do të ketë proces politik pa dënuar hajdutët e votave”, deklaroi Basha”.

Protesta ishte paqësore, por Basha në retorikë, zgjodhi linjën e Berishës. Berisha ishte fituesi i vërtetë i protestës së nëntë të opozitës. Basha humbi rrugës LSI dhe Kryemadhin dhe fitoi vëmendjen e ndërkombëtarëve dhe eventualisht koston e rëndë të reagimit të tyre. Tashmë ndërsa ecim drejt 30 qershorit, përplasja nuk është më, mes PD dhe qeverisë, por mes Bashës, Ramës dhe Shteteve të Bashkuara. Për krerët de facto dhe de jure të partisë më të madhe të opozitës, ka filluar numërimi mbrapsht. Ose të tërhiqen (për faqe të zezë), ose të hidhen me duart e tyre, në listën e zezë.



Skip to toolbar