Peleshi në NATO: Shtojmë investimet për mbrojtjen, 2030 me produkte “Made in Albania” në tregun ndërkombëtar

AKTUALITET


Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi mori pjesë në Ministerialin e ministrave të mbrojtjes së vendeve të NATO-s, të zhvilluar në Bruksel. Gjatë këtij Ministeriali u diskutuan çështjet më të mprehta të sigurisë dhe mbrojtjes në zonën Euro-Atlantike, të cilat do të përbëjnë edhe bazën e bisedimeve të Samitit të Uashingtonit, i cili pritet të mbahet në muajin korrik.

Ministri Peleshi, në fjalën e tij nënvizoi se Shqipëria vijon të ketë një angazhim serioz financiar ndaj Aleancës duke zyrtarizuar kontributin me 2.03 % të GDP. Një pjesë e mirë e këtij kontributi do të investohet për modernizimin e Forcave të Armatosura në armatime dhe pajisje.

Ministri Peleshi njohu homologët me ambicien e Shqipërisë për të zhvilluar industrinë e mbrojtjes dhe planet që brenda vitit 2030 të hyjë në tregun ndërkombëtar me produktet “Made in Albania”.

Po ashtu, gjatë fjalës së tij, Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi u fokusua në situatën e mbrojtjes dhe të sigurisë në Ballkanin Perëndimor, të cilën e konsideroi të brishtë dhe jo të qëndrueshme. Sipas ministrit Peleshi, Kuvendi gjithëserb i mbajtur në Beograd disa ditë më parë është shqetësues për narrativën lidhur me pretendimet territoriale të ngritur prej tij si dhe gjuhën e përdorur ndaj aleatëve perëndimorë. Ministri i Mbrojtjes ritheksoi mbështetjen e Shqipërisë ndaj Kosovës në rrugën e saj të integrimit euro-atlantik si dhe kërkoi ekuilibër dhe trajtim realist të fakteve mbi dinamikat e sigurisë dhe zhvillimet e Mbrojtjes në Kosovë.

Në këtë ministerial Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Stoltenberg theksoi rëndësinë e miratimit të Axhendës së Mbrojtjes dhe Shkurajimit të Samitit të Uashingtonit si edhe ftoi ministrat e Mbrojtjes të pranojnë paketën e Asistencës dhe Trajnimit për Ukrainën.



Skip to toolbar