Agjencia izraelite e kundërzbulimit, Mosad, raportohet se përdori agjentë iranianë për të vendosur eksplozivët në godinën ku do të qëndronte lideri i Hamasit, Ismail Hanijeh.
Sipas gazetës britanike, The Telegraph, plani ishte që Hanijehu, si koka e grupit palestinez që është në luftë me Izraelin, të vritej që në maj, kur mbahej funerali i ish-presidentit iranian Ebrahim Raisi.
Operacioni nuk vijoi për shkak të kushteve: turmat ishin të mëdha brenda godinës dhe rreziku që plani të dështonte po ashtu ishte i lartë.
Duke sjellë pretendimet e dy zyrtarëve iranianë, gazeta britanike shpjegoi se bombat u vendosën në tri dhomat e pritjes të Gardës Revolucionare Islamike në veri të Teheranit, ku Hanijehu mund të qëndronte.
Agjentët e inflitruar hynë dhe dolën prej dhomave brenda dy minutave, thanë zyrtarët e cituar, që kanë parë edhe pamjet e regjistruara.
Eksplozivi në dhomën ku ndodhej Hanijehu të mërkurën shpërtheu rreth orës 2 të mëngjesit, një operacion i kryer nga distanca. Lideri i palestinezëve po qëndronte aty për inaugurimin e presidentit të ri të Iranit, Masud Pezeshkian. Ndërkohë agjentët raportohet se u larguan nga vendi, edhe pse mbanin kontaktet me një burim në Iran.
“Tani ata janë të sigurt se Mosadi përdori agjentë nga njësia e Ansar al-Mahdit. Nga hetimi u zbuluan edhe pajisjet shpërthyese shtesë në dy dhomat e tjera,” tha një zyrtar i Gardës.
Forca ushtarake e Iranit aktualisht mendohet se po vlerëson kundërreagimin ndaj Izraelit. Goditja direkte në Tel-Aviv është një nga opsionet kryesore dhe mund të realizohej me militantët e Hezbollahut nga Libani ose me njësitë e tjera të afërta me Iranin, shton media britanike. / The Telegraph