Zjarri në Himarë, shoqërohet në komisariat një person, dyshohet se i vuri flakën zonës

AKTUALITET


Një person është shoqëruar në Komisariatin e Vlorës, pasi dyshohet se ka vendosur zjarrin në zonën e bypass-it të Vlorës, ku flakët përfshinë mbrëmjen e së premtes edhe lagjen nr. 1 në Himarë.

Personi i shoqëruar është një çoban i zonës, i cili kullot bagëtitë në territorin pranë bypass-it. Sipas dyshimeve paraprake të autoriteteve, ai mund të ketë lidhje me vendosjen e flakëve, ndërsa po kryhen hetime për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes.

Zjarri, i favorizuar edhe nga era e fortë, u përhap me shpejtësi dhe doli jashtë kontrollit, duke rrezikuar banesa dhe biznese. Si pasojë, gjashtë banesa u dogjën plotësisht, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

Për shkak të rrezikut, banorët dhe turistët që ndodheshin në zonë u detyruan të largoheshin nga banesat dhe strukturat ku qëndronin.

Forcat zjarrfikëse dhe strukturat e emergjencave punuan gjatë gjithë natës për izolimin e flakëve dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të zjarrit. Në orët e mëngjesit, situata u vu nën kontroll, ndërsa vijon puna për shuarjen përfundimtare të vatrave.

Ndërkohë, autoritetet po vijojnë hetimet për të përcaktuar nëse personi i shoqëruar është përgjegjës për zjarrin dhe për të dokumentuar rrethanat e ngjarjes.



Skip to toolbar