Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka deklaroi sot se nuk do të kandidojë për deputet në zgjedhjet e 11 majit.
Në një konferencë për mediet, Duka bëri me dije se duhet t’i hapet rruga të rinjve, ndërsa shtoi se do të japë kontributin e tij maksimal në çdo qark ku do të kenë kandidatë për deputetë.
“Unë e kam thënë, unë nuk kandidoj më për Parlament. T’i hapet rruga të rinjve. Do të jap kontribut maksimal në çdo qark ku do të kemi kandidatë për deputetë”, u shpreh ai.
Duka tha se, PAA do të ketë kandidatë në çdo qark. “Akoma nuk kanë mbaruar negociatat. Jemi drejt procesit të dakordësimit. Nuk do të ketë asnjë lloj problemi. Ne do dalim së bashku me opozitën”, deklaroi Duka.
Ai theksoi se, synimi është që PAA të sigurojë 40 mijë vota në të gjithë vendin.
“Unë besoj që Kodi Zgjedhor dikton për rezultat pozitiv që partitë, të cilat janë për të njëjtin qëllim, në rastin konkret partitë opozitare, të jenë brenda një koalicioni. Çdo lloj ndarje e dëmton, sepse mund të ndodhë që partitë të cilat kanë dalë nga PD mund të marrin vota djathtas, por nuk e konvertojnë në deputet. Sepse Kodi është në 12 qarqe, që relativisht duhen 10 mijë vota për qark. Në këtë rast përfiton kundërshtari politik”, tha Duka.