Vangjel Tavo: Në Gjirokastër kanë votuar 15.6%, ja skema jonë për rezultatet e sakta!

AKTUALITET


Ish-deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, ka folur në një lidhje direkte për “Real Story”, ku ka treguar për gazetarin Sokol Balla, se sipas tij, në qarkun e Gjirokastrës, në mungesë të shifrave për Tepelenën, mendohet që kanë votuar rreth 15.6% e votuesve. “Kanë votuar rreth 15.6% në rang qarku. Në rang qarku jemi diku te 29.5% më pak në krahasim me zgjedhjet lokale të 2015”, u shpreh Vangjel Tavo.

Sipas ish-deputetit të LSI-së, shifrat e opozitës janë nxjerrë pasi në çdo qendër votimi ka pasur persona të caktuar, të cilët kanë mbajtur shënim emrat e votuesve me lista emërore. Në këtë mënyrë, opozita, sipas Vangjel Tavos, pretendon se ka shifrat reale të votuesve të cilët kanë marrë pjesë këtë 30 qershor në zgjedhje.  

“Ne jemi jashtë sistemit, të tjerët votojnë, duke qenë se nuk kemi anëtar në komisionet e qendrave të votimit, morëm masat si opozitë, në çdo qendër votimi kemi vendosur  njerëz me lista emërore të njerëzve që votonin. Këto janë listat e bëra nga anëtarët e LSI në të gjithë qendrat e qarkut, përveç Tepelenës të cilët nuk janë lejuar. Në Goranxi personi që unë kisha vendosur është zbuar dhe dhunuar. Është dhunuar nga komisionerët e PS dhe policia nuk ka reaguar”.

Në fund, Vangjel Tavo u shpreh se nëse shifrat zyrtare që do të japë KQZ do të krenspodojnë me ato të opozitës, procesi do të quhet i rregullt, në të kundërt, Tavo shprehet se ka pasur manipulim.

“Unë them që këto janë rezultatet që duhet të jenë në procesverbalet e qendrave të votimit. Këto janë të çekuara. Kemi dhe pamje filmike të njerëzve që kanë shkuar për të votuar. Ky është rezultati real i njerëzve që kanë shkuar të votojnë. Në rast se nuk del i njëjti rezultat ka manipulim dhe jam gati të ballafaqohem. Nëse KQZ konfirmon shifrat tona, unë nuk them asnjë gjë. Përvec se komisionerët kanë punuar mirë. Nëse del kështu, do të thotë që Partia e Punës së Shqipërisë fitojë”, tha Tavo.



Skip to toolbar