Mbyllet zyrtarisht procesi i votimit, relativisht i qetë. Priten shifrat e pjesëmarrjes nga KQZ

AKTUALITET


Ka përfunduar zyrtarisht procesi i votimit për zgjedhjet lokale të 30 qershorit, të mbajtura këtë të diel në vendin tonë. Mbi 3.5 milionë shqiptarë me të drejtë vote, kishin mundësinë për të zgjedhur drejtuesit e rinj të pushtetit vendor, të cilët do të qeverisin 61 bashkitë në vendin tonë.

Me një pjesëmarrje të ulët, ku sipas pritshmërive 22-25%, votimet u zhvilluan në 30 bashki pa kandidat alternativ.


Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim dhe aleatët e tyre i kanë bojkotuar zgjedhjet, duke kërkuar largimin e kryeministrit pas publikimit të përgjimeve për blerjen e votave në Durrës dhe në Dibër. Në të gjithë vendin, janë hapur 5417 qendra votimi, ndërkohë që sipas të dhënave, vetëm në një qendër votimi në Shkodër nuk është votuar .

Tashmë pritet të KQZ-ja të japë të dhënat zyrtare për pjesëmarrjen në votime, ndërsa për fituesit nuk priten surpriza. Procesi i votimit ka nisur në orën 7 të mëngjesit të sotëm dhe ka vijuar përgjithësisht i qetë. Në komunikimin e fundit të KQZ për shifrat paraprake u deklarua se deri në orën 15:00 kishin votuar 15.5% të zgjedhësve. Në disa bashki ka pasur votime të kënaqshme, ndërsa në disa të tjera, niveli ka qenë i ulët, siç raportohet paraprakisht edhe nga Durrësi. Tirana, pothuajse ka kapur të njëjtin nivel të vitit 2017 me numrin e votuese, edhe pse dihet se në zgjedhjet vendore përqindja e pjesëmarrjes është më e ulët.

Raportimet e para për mbylljen e votimeve janë bërë nga Gjirokastra, Lezha, Kruja, Fieri, Lushnja, Korça, Elbasani, Kamza, Shkodra, Kukësi, Vora, dhe Saranda

Ky proces ka shënuar disa incidente të vogla, ndryshe nga sa pritej nga gjendja e krijuar gjatë fushatës elektorale, ku opozita kishte paralajmëruar se do të bllokonte procesin zgjedhor, por këto qëndrime erdhën duke u përshkallëzuar derisa të shtunën në mbrëmje, kreu i PD, Lulzim Basha bëri thirrje që të tërhiqeshin militantët e PD.




Skip to toolbar