Molotovë, fishekzjarrë e xhiro nëpër qytet. Këtë 24 janar, Rama nuk ra, por Berisha u dhuroi një shfaqje demokratëve, për të mos u harxhuar kohën kot me protestën.
Tre mijë demokratë i erdhën në bulevard, por për të shtuar numrat para zyrës së tij, u ndihmua edhe nga 1 mijë policë, të Ramës. Kjo anëtare e Forumit Rinor të PD, foli në emër të të gjithë të rinjve, dhe u ankua për vuajtjet e bashkëmoshatarëve të saj.
“Mua sot nuk më dhemb varfëria, nuk më dhemb as lodhja, më dhemb padrejtësia , ju nuk e keni idenë sa punon ndershëm dhe nuk shpërblehesh”
Kurse një tjetër e re, nuk po gjente dot arsyen pse demokratët nuk frymëzohen.
“Po populli nuk po gjen dot frymëzimin, ore si e gjetët frymëzimin në 91. Jam shumë kurioze mo, na e thoni, aman mo na e thoni, ta dimë t’ua japim këtyre që nuk na frymëzohen sot pavarësisht çndodh në këtë vend”
Ka një person që i frymëzon demokratët, dhe ai është Sali Berisha. Doktori pasi pa nga zyra e Ramës, i tha turmës se Rama po bie, vetëm se ka mbetur edhe fare pak.
“të dashur demokrate e demokratë, nuk jemi kurrë aty ku ishim, nuk jemi më në rrugë pa krye, nuk jemi në mjegullnajë, por jemi në kilometrin e fundit, jemi në agun e triumfit tonë.”
Dhe me të mbaruar fjala, nisi festa. Një shfaqje prej 15 minutash fishekzjarrë e molotovë drejt dritares së Ramës, por mbrapsht demokratët morën vetëm ujë dhe spraj.
Berisha braktisi bulevardin për tu fshehur në seli, kurse deputetët me një grup protestuesish marshuan për kilometrin e fundit.
Me mbarimin e molotovit u ndalën para kuvendit. Aty u mbeti vetëm që shfaqjen e dhuruar brenda asaj godine, ta realizonin jashtë.
Në fund, doktori shpalli fitoren. Sqaroi se jo se Rama s’ra, po këtë herë e fali vetë.
“Plotësisht. Beteja me diktaturën nuk është një ndeshje futbolli, jo. Ju e patë gatishmërinë e atyre njerëzve që ishin të gatshëm t’i jepnin Edi Ramës për 30 minuta atë që meritonte.”
Edhe këtë herë doktori tregoi se, dhuna dhe zjarri e identifikojnë atë dhe PD më së miri sado që vitet kalojnë.
Këto veprime nuk ishin rastësi, mërzia e doktorit shkonte përtej oqeanit. Protestës i munguan flamujt amerikanë, i mungoi karikatura e Ramaduros, ndërsa molotovët e fishekzjarrët u hodhën pikërisht në drejtim të zyrës ku 2 ditë më parë, u fut Ivanka Tramp, Vajza e Presidentit të SHBA, Donald Trump.
Por demokratët e pakët të cilët e ndjekin pas, janë ngopur mërzitë e metodat e doktorit.
Demokrati Ilir Vrenozi ishte risia e fundit e kësaj proteste. I vetëlarguari nga Big Brother zgjodhi të qëndrojë krah të vetëpërjashtuarit Ervin Salianji në protestën e doktorit. Por pas kësaj proteste, edhe ai është bindur se
“Ja erdha në protestë, nuk pjerdh Rama për këto, hajde këtu, fol, bam bym dy herë edhe ik. Duhet grevë, deputetët, jo show kot”, tha ai.
