“Po vij në OKB”, Netanyahu sfidon Mamdanin: Do të tregoj të vërtetën për ty!

BOTA


Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka përcjellë një mesazh të ashpër ndaj kryebashkiakut të Nju Jorkut, Zohran Mamdani, teksa udhëton drejt qytetit për të marrë pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

“Po vij në OKB. Do të tregoj të vërtetën për ushtarët tanë heronj… dhe do të tregoj të vërtetën për ty”, është shprehur Netanyahu, duke iu drejtuar drejtpërdrejt Mamdanit.

Përplasja mes dy figurave ka ardhur në sfondin e qëndrimeve të forta të Mamdanit ndaj kryeministrit izraelit. Kryebashkiaku i Nju Jorkut e ka cilësuar vazhdimisht Netanyahun si “kriminel lufte” dhe ka mbështetur arrestimin e tij në lidhje me urdhër-arrestin e lëshuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare (GJPN).

Më herët, Mamdani ka pranuar se autoritetet e qytetit të Nju Jorkut nuk kanë kompetencë të pavarur ligjore për të zbatuar një urdhër të tillë arresti.

Deklarata e Netanyahut vjen në një moment kur vëmendja ndërkombëtare është përqendruar te Asambleja e Përgjithshme e OKB-së dhe te qëndrimet e ndryshme mbi luftën dhe zhvillimet në Lindjen e Mesme.



Skip to toolbar