Rama në Prishtinë: UÇK s’ka lidhje me terrorin, ata burra nuk u armatosën për të imponuar sundimin e tyre

KOSOVA


Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë këtë të hënë, më 16 shkurt, në promovimin e librit “Kur heshtja flet” të autorit Ahmet Shala në Prishtinë. Libri i kushtohet gjykimit në Hagë për krime lufte kundër ish-krerëve të UÇK-së, dhe padrejtësive që thotë se ata janë përballur gjatë procesit 5-vjeçar.

“Ftesën për të marrë pjesë në promovimin e këtij libri e mora përpara se të merrnim lajmin e zymtë nga tribunali në Hagë mbi kërkesën absurde të prokurorëve për të dënuar me 45 vjet çdonjërin prej 4 udhëheqësve të UÇK-së dhe për hir të së vërtetës e pata të vështirë të mund të shkruaja një fjalë nga fillimi në fund sepse përballë një historie të tillë fjalët nuk janë aspak të lehta për t’u gjetur. Ndërkohë ndër disa mendime që mund të vlejnë të ndaj me ju këtu, i pari është mendimi se kush është sot këtu, në të njëjtën godinë që vuan dënim pas vendimit të gjykatës ndërkombëtare.”, tha Rama.

“Sipas kërkesës së prokurorisë së tribunalit në Hagë, këtyre të dënuarve do t’u shtohen edhe 4 të tjerë në anën tjetër të barrikadës, ndërkohë që prokuroria nuk pati kapacitetin të provojë asgjë të ngjashme sepse nuk ka asgjë të ngjashme në aktivitetin e 4 udhëheqësve të UÇK-së. Nuk ka asnjë lidhje aktiviteti i tyre dhe i UÇK-së me terrorin mbi popullsinë civile, me spastrimin etnik, me varret masive të njerëzve të pafajshëm, me shënjestrimin e fëmijëve dhe të grave nga snajperët e vendosur aty me këtë qëllim, apo me përdhunime, vrasje e mbytje njerëzish në lumë. Asgjë. Ata katër burra nuk u armatosën për të ndërtuar një politikë shfarosjeje, por u armatosën kundër një politike shfarosjeje. Nuk u armatosën për të imponuar sundimin e tyre në një territor të huaj, por për të larguar sundimin e huaj në tokën e tyre. Ata vetë me dorën e tyre e votuan në Parlamentin e Kosovës një Gjykatë e cila në letër, është një gjykatë e Ksoovës.Nuk është gjykatë për të vendosur në bankën e të akuzuarve Ksoovën.”, shtoi Rama.

Më herët kryeministri Edi Rama u prit në një ceremoni zyrtare nga presidentja e Ksoovës Vjosa Osmani.

Më vonë gjatë ditës së sotme, do të ketë një takim edhe me homologun e tij Albin Kurti, ndërsa  pritet të mbajë dhe një leksion të hapur me të rinjtë e Universitetit “Hasan Prishtina” dhe nxënësit e gjimnazit “Sami Frashëri”.

Rama nis sot drejt Kosovës, menjëherë pas mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste ku u prezantua një nismë e re ligjore për Kodin e Procedurës Penale.

Gjatë promovimit të librit “Kur heshtja flet” nga autori Ahmet Shala, janë parë të pranishme gratë e ish-krerëve të UÇK-së, si dhe përfaqësues të institucioneve kosovare dhe shqiptare.

Ky zhvillim vjen në prag të Ditës së Pavarësisë dhe protestës gjithëpopullore që do të mbahet nesër, për mbështetjen e ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.



Skip to toolbar