Gazetarja dhe autorja e emisionit “Gjërat Tona”, Etleva Delia, u shpreh se edhe pse nuk ekziston një klasifikim i drejtpërdrejtë, përdorimi i molotovit mund të konsiderohet si armë zjarri për nga rrezikshmëria dhe pasojat që sjell.
Duke komentuar protestën e opozitës, ku “grupi i zjarrit” u kap me molotovë, Delia theksoi se legjislacioni në fuqi për tubimet publike është i qartë, sidomos në lidhje me ndalimin e maskimit apo mbulimit të fytyrës gjatë protestave.
Ajo shtoi se ndërhyrja e autoriteteve duhet të fokusohet në parandalimin e situatave të rrezikshme përpara se ato të përshkallëzohen. Megjithatë, sipas saj, në rastet konkrete mund të jetë synuar arrestimi në flagrancë i protestuesve të dhunshëm, çka mund të shpjegojë edhe momentin e ndërhyrjes së policisë.
