Nga Skënder Minxhozi
Kur flitet për dosje shqiptaro-greke dikush me të drejtë mund të listojë pa hezituar disa “gropa thithëse” që mbajnë peng të shkuarën (por dhe të tashmen) e raporteve mes dy vendeve: ligji i luftës, pakica greke në Jug, çeshtja e pronave të çamëve, marrëveshja e dështuar e detit e disa aspekte të tjera më të vogla e të parëndësishme. I njëjti person mund të shtojë më pas se këto kriza të mbuluara me hirin e viteve nuk i kanë penguar megjithatë mardhëniet dypalëshe. Jemi aleatë në NATO, avionët grekë dhe ata italianë ruajnë hapësirën tonë ajrore në kuadër të Aleancës, bëjmë tregëti e shkojmë e vijmë për turizëm apo motive gjithfarësh, qindra mijë shqiptarë tashmë janë edhe shtetas grekë me prona dhe fëmijë që shpesh nuk dinë shqip, si dhe prona të blera kudo në qytetet e fshatrat e Greqisë. Jemi pra dy vende që në jetën e përditshme sillemi normalisht duke e kthyer kokën anash kur na shfaqen “izmat” e të shkuarës.
Duhet të pranojmë se po jetojmë një tjetër kohë nga e ajo e operacioneve Fshesa dhe e incidentit të Peshkëpisë. E megjithatë t’i ikësh problemeve të vjetra nuk do të thotë se i ke zgjidhur ato. Aktualisht, tre vjet pas tensionit për zgjedhjet në Himarë, dy vendet kanë aplikuar një linjë diplomatike mes tyre e cila tenton të hiqet sikur mes dy anëve të kufirit nuk ka probleme, a thua se statu quo-ja është kurë që të shëron, e jo një ilaç që të ofron një qetësi të përkohshme. Paragjykimet janë aty, mëritë e vjetra e të reja gjithashtu dhe që të gjitha shfaqen sa herë që në mes futen çeshtje sensitive.
Himara qe një e tillë. Një patate që nxehet sa herë që në Shqipëri ka zgjedhje, por edhe sa herë që në Athinë mendojnë se ndaj zonave minoritare në Shqipëri ka probleme konkrete. Siç janë fjala vjen investimet turistike në bregun e Jonit, që shihen nga pala greke si një ujk i veshur me lëkurë qingji, me qëllimin për të tjetërsuar pronat e fshatrave greqishtfolës. Në të gjitha këto raste Athina zyrtare e ka të gatshme formulën sa herë që flitet për integrimin e Shqipërisë. “Rruga e Tiranës drejt Evropës kalon përmes Athinës”. Një refren që në rastin e burgosjes së Fredi Belerit u tentua të kthehet në bllokim konkret në Bruksel, por që më pas u evitua nga ndërhyrja e fuqitë kryesore evropiane me Italinë në krye.
Në këtë shah me shumë lëvizje Edi Rama është një lojtar që pëlqehet vetëm formalisht nga pala greke. Ai shihet madje si problemi kryesor. Teksa ai i përulet ne gjunjë Melonit dhe e fton atë të kalojë pushimet në Shqipëri (pasuar nga hapja e portave për një qendër refugjatësh), Micotakis nuk e viziton Tiranën në një vizitë dypalëshe që nga viti 2022. Periudhë e gjatë po të merren parasysh ecejaket e Ramës në Romë, apo afërsia me Erdogan e liderët evropianë, çka duhet të ketë rrudhur shumë buzë në kryeqytetin helen.
Mos harroni, Rama është kreu i forcës politike që paditi marrëveshjen detare në Gjykatën Kushtetuese, e cila e rrëzoi me votë unanime. Mos harroni gjithashtu që ai është i pari kryeministër i Shqipërisë që ka futur zyrtarisht në programin e qeverisë së parë në vitin 2013 “çeshtjen çame”. Një krisëm në mes të një koncerti! Më tej akoma, Edi Rama është ndër politikanët e rrallë të Tiranës zyrtare që ka akuzuar Greqinë se po bën “një politikë të vjetëruar në Ballkan”, duke e detyruar homologun e tij grek të evitojë një krizë të re, duke gjetur një formulë justifikuese për mediat greke. “E njoh zotin Rama dhe e di që ai ka një mënyrë të veçantë të të shprehurit”, tha ai në mesin e tensioneve për çeshtjen Beleri.
Për këto arsye një vizitë e Ramës në Athinë, sërish jo dypalëshe por në kuadrin e një forumi ndërkombëtar, është gjithsesi një rast i mirë për të ngrohur pak më shumë mardhëniet aktuale të cilat ecin në hullinë e një komunikimi protokollar e formal, më shumë sesa në korsinë e një raporti të ngushtë mes fqinjësh të vjetër. E sigurt duket se si Rama ashtu dhe Micotakis kanë vendosur se nuk do të jenë ata të dy projektuesit e një shqyrtimi me themel të dosjes shqiptaro-greke, për pasojë as autorët e një paqeje të madhe mes dy vendeve, por do të fokusohen më shumë në evitimin e krizave dhe administrimin ditor të raporteve mes dy vendesh që kanë shumë për të diskutuar e zgjidhur mes tyre, por që refuzojnë ta bëjnë këtë për arsyet e tyre të brendshme shumë herë më të vogla e meskine se historia e tyre e përbashkët.
