Nis punimet Samiti i Komunitetit Politik Europian në Yerevan, ku marrin pjesë 48 krerë shtetesh dhe qeverish nga e gjithë Evropa. Mes tyre është edhe kryeministri shqiptar Edi Rama, i cili do të jetë pjesë e panelit kryesor të këtij takimi të 8-të, që zhvillohet nën moton “Ndërtimi i së Ardhmes: Uniteti dhe Stabiliteti në Evropë”.
Sipas raportimit të gazetares së RTSH, Denada Shkodrani, kreu i qeverisë shqiptare pritet të zhvillojë një sërë takimesh dypalëshe gjatë qëndrimit në Armeni. Mes tyre përfshihen takime me kryeministrin armen Nikol Pashinyan, presidentin francez Emmanuel Macron, si dhe liderë të tjerë europianë.
Në samit kanë mbërritur gjithashtu figura të rëndësishme të politikës europiane dhe ndërkombëtare, përfshirë presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, presidentin e Këshillit Evropian Antonio Costa, kryeministren italiane Giorgia Meloni dhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.
Diskutimet në këtë format pritet të fokusohen në forcimin e bashkëpunimit mes vendeve, çështjet e energjisë, si dhe krizat globale dhe konfliktet në vijim. Ndërkohë, në përfundim të punimeve, pritet të publikohet një deklaratë e përbashkët mbi qëndrimet dhe hapat e ardhshëm.
“Kryeministri Rama në një prononcim ditën e djeshme për RTSH u shpreh së angazhimi i Shqipërisë mbetet unioni evropian. Liderët e rëndësishëm të BE kanë mbërritur në samit, presidentja Von der Leyen, Antonio Costa, Giorgia Meloni, Emmanuel Macron, përfaqësues të qeverive të tjera të vendeve anëtare të unionit për të diskutuar për hapat që duhen marrë për forcimin e bashkëpunimit dhe çështje të tjera prioritare, luftërat e hapura. Pak më parë mbërriti dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky. Formati i 8-të parashikon fokusin e diskutimeve të tij që kanë të bëjnë me bashkëpunimin dypalësh, çështjet e energjisë dhe krizat globale. Gjatë qëndrimit në Jerevan, Rama pritet të ketë një takim me kryeministrin e këtij vendi organizator dhe me presidentin Macron dhe liderë të tjerë. Janë të shpeshta takimet e Ramës me homologen italiane Giorgia Meloni.
Kryeministri Edi Rama do jetë i pranishëm në panelin kryesor të këtij formati të rëndësishëm që pritet rreth pasdites të dalë me një deklaratë për qëndrimet që do të merren”, deklaroi gazetarja Denada Shkodrani.
