Protesta në mbrojtje të Shqipes/ Maqedoni e Veriut, studentët paralajmërojnë tubimin e radhës

AKTUALITET


“Nëse menduat se u ndalëm, gabuat. Të parën e shpërfillët, e dyta po vjen”. Me këtë mesazh janë mbushur disa prej qyteteve kryesore në Maqedoninë e Veriut dhe autori i saj janë “studentët”.

Ata paralajmërojnë një tjetër protestë me në thelb kërkesën e tyre për të dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe. Mobilizimi i dytë kësaj here filloi nga qyteti i Kumanovës.

Në debatin e organizuar mes studentësh, ata u njohën me situatën aktuale, si dhe u këshilluan për organizimet e radhës. Një nga organizatorët e protestës studentore Mevlan Ademi tha se në diskutimin për protestën e dytë u fol për një mobilizim edhe më të madh dhe për një qëndrim edhe më të unifikuar. Sipas tij, ka vullnet dhe gatishmëri për ta çuar kauzën përpara.

Protesta e parë e studentëve u mbajt në Shkup më 6 prill dhe përfundoj përpara ministrisë së drejtësisë, por që atëherë asnjë nuk ka ndryshuar nga qeveria për të përmbushur një të drejtë të shqiptarëve që rrjedh që nga Marrëveshja e Ohrit.

Aksioni i tyre merr një kuptim edhe më të thellë politik, duke ngritur diskutim për përfaqësimin me dinjitet të shqiptarëve në një vend ku janë element shtetformues, madje në një kohë kur në bashkëqeverisje janë edhe shqiptarët e VLEN.



Skip to toolbar