Policia arrestoi tre shtetas italianë pasi dyshohet se kryen akte dhune ndaj uniformave blu në protestën e opozitës të prëmten e kaluar.
Eksperti i kriminalistikës Ervin Karamuço tha se policia po heton disa shtetas italianë të dyshuar për qëndrim të paligjshëm, shkelje të kufirit tokësor dhe përfshirje në akte dhune gjatë protestave. Sipas tij, dy prej italianëve nuk rezultojnë në sistemin TIMS, ndërsa autoritetet kanë marrë tabulatet telefonike dhe po verifikojnë itinerarin dhe kontaktet e tyre. Karamuço shtoi se ekzistojnë dyshime që këta persona mund të jenë pjesë e grupeve mercenare që paguhen për të kryer akte dhune, por theksoi se hetimet i takojnë policisë.
“Po hetohet qëndrimi i paligjshëm, shkelja e kufirit tokësor; janë disa rrethana që policia ka ngritur dyshime. Dy prej italianëve nuk dalin në TIMS, njëri ka hyrë nga Kosova. Njëri prej tyre ka emër arab. Nga të dhënat që na referohen, di të them që nuk kam parë turistë me maska duke bërë veprime të dhunshme. Ka një mosrakordim mes këtyre personave; përpara deklarimeve zyrtare me shkrim ka pasur deklarime që edhe mund të jenë paguar, por policia po heton si kanë ardhur dhe kush i ka futur në turmë. Ka një pikëpyetje që po hetohet mbi itinerarin e tyre; janë marrë edhe tabulatet se me kë kanë komunikuar. Italianët janë kapur për veprime të dhunshme ndaj policisë; janë filmuar dhe fotografuar.
