Salianji, letër partive të djathta: Në PD po asgjesohen standardet demokratike dhe pluralizmi

#NËRADAR


Kandidati i përjashtuar nga gara në PD Ervin Salianji i drejtohet me një letër grupimit të Partive Popullore Europiane, ku shpreh shqetësimin për bllokimin e garës për kryetar, mosrespektimin e statutit të partisë dhe përjashtimet arbitrare të kandidatëve. Salianji thotë se në PD po asgjësohen standardet demokratike dhe pluralizmi i brendshëm.

Salianji thekson se: “Çështja nuk është një kandidim individual, por mbrojtja e standardeve demokratike, pluralizmit të brendshëm dhe kredibilitetit institucional të partisë më të madhe opozitare në Shqipëri.”

Në komunikimin drejtuar PPE-së dhe liderëve të partive simotra europiane, ai nënvizon se Partia Demokratike, si pjesë e familjes politike europiane, duhet të jetë model i demokracisë së brendshme dhe jo simbol i mbylljes, përjashtimeve dhe interesave personale.

Në letër evidentohet gjithashtu fakti se kandidaturat për garën e brendshme u penguan në mënyrë faktike,  zyra përgjegjëse për dorëzimin e dokumentacionit nuk funksionoi brenda afatit;
mbështetës dhe kandidatë u përjashtuan pa vendime formale dhe pa argumentim statutor, nuk u respektua neni i statutit që parashikon dorëheqjen e kryetarit pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare.

Salianji kërkon nga PPE dhe drejtuesit e partive të djathta europiane një angazhim parimor dhe konstruktiv për të inkurajuar dialogun, respektimin e normave statutore dhe ruajtjen e standardeve demokratike brenda Partisë Demokratike të Shqipërisë. Ai rithekson në fund të letrës angazhimin e tij për vlerat europiane, demokracinë, shtetin e së drejtës, pluralizmin dhe integrimin europian të Shqipërisë.



Skip to toolbar