Zjarri i rënë në orët e para të mëngjesit ka përfshirë tregun e ri të fruta-perimeve në qytetin e Lushnjës, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale për tregtarët.
Ngjarja ndodhi rreth orës 03:30 në tregun e ndërtuar tre vite më parë pranë aneksit të stadiumit të qytetit, në lagjen “Xhevdet Nepravishta”. Në këtë treg ushtronin aktivitetin rreth 50 tregtarë, të cilët më herët shisnin produktet në rrugët dhe trotuaret e Lushnjës.
Sipas dyshimeve të para, zjarri mund të jetë shkaktuar aksidentalisht nga sistemi i ndriçimit elektrik të jashtëm. Një shkëndijë dyshohet se ka përfshirë materialet plastike, ndërsa flakët janë përhapur më pas me shpejtësi për shkak të kartonëve dhe materialeve të tjera lehtësisht të ndezshme.
Tregtarët shprehen se dëmet janë të mëdha për ekonominë e tyre familjare.
Pas ngjarjes, kryetarja e Bashkisë së Lushnjës, Eriselda Sefa, u takua me tregtarët e dëmtuar. Ajo tha se rreth 10 tregtarë janë dëmtuar më rëndë dhe se bashkia do të shqyrtojë mundësinë e dëmshpërblimit përmes Këshillit Bashkiak.
Deri në pastrimin e zonës së dëmtuar, tregtarët do të lejohen të shesin produktet jashtë tregut, në hapësirat bosh pranë trotuarit.
