Ekonomia shqiptare mbetet e qëndrueshme pavarësisht konfliktit në Lindjen e mesme. Një delegacion i fondit Monetar Ndërkombëtar ka zhvilluar një takim me Guvernatorin Sejko ku ka theksuar se rritja e aktivitetit ekonomik në vend është e lidhur me uljen e papunësisë dhe kushtet e favorshme financiare.
“Ekonomia shqiptare vijon të tregojë qëndrueshmëri të mbështetur nga rritja e aktivitetit ekonomik, zhvillimet pozitive në tregun e punës dhe kushtet e favorshme financiare”, tha FMN.
Mbiçmimin e lekut ndaj valuatave të huaja Fondi Monetar Ndërkombëtar e konsideron një zhvillim të lidhur me qëndrueshmërinë e ekonomisë. Aktualisht një euro po këmbehet me rreth 95 lekë.
“Forcimi i Lekut është një fenomen i përcaktuar nga përmirësimet strukturore në ekonominë reale dhe një regjim i lirë i kursit të këmbimit është i dobishëm dhe sjell përfitime për ekonominë shqiptare”, shtoi Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Guvernatori Gent Sejko prezantoi delegacionin me zhvillimet më të fundit ekonomike të vendit, duke u fokusuar në ecurinë e çmimeve, zhvillimet në sistemin financiar e bankar, si dhe pritshmëritë lidhur me treguesit ekonomikë në të ardhmen.
Kreu i bankës Qendrore theksoi se politika monetare mbetet e angazhuar t’i ofrojë ekonomisë shqiptare kushte të përshtatshme monetare për kthimin e inflacionit në objektiv.
