Arrestohet 22-vjeçari i kërkuar nga Spanja për tentativë vrasjeje, fshihej në Shëngjin

AKTUALITET


Është arrestuar në Shëngjin një 22 vjeçar i kërkuar nga autoritetet spanjolle për tentativë vrasjeje. Siç bën me dije Policia, i riu fshihej në Lezhë ndërsa ishte në arrati që prej 18 majit të këtij viti.

“Shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, në vijim të punës për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, kanë siguruar informacion se një shtetas në kërkim ndërkombëtar fshihej në Lezhë. Bazuar në informacionin e shkëmbyer në kohë reale me partnerët spanjollë, nëpërmjet rrjetit ENFAST, u organizua dhe u finalizua operacioni i koduar “Fast”, si rezultat i të cilit u kap në Shëngjin dhe u arrestua me qëllim ekstradimin në Spanjë, shtetasi: -O. P., 22 vjeç, lindur në Lezhë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Madridi, pasi Gjykata Juzgado Instruccion 2 Ibiza, Spanjë, më datë 18.05.2026, ka lëshuar urdhër arresti për të, për veprën penale “Vrasja”, mbetur në tentativë. Vijojnë procedurat për ekstradimin e shtetasit O. P., në Spanjë”, thuhet në njoftimin zyrtar krahas pamjeve të operacionit.



Skip to toolbar