I ftuar në “Faqja 4” në ABC News, analisti Albatros Rexhaj ka deklaruar se Irani po zhvillon një luftë hibride të sofistikuar për të destabilizuar Shqipërinë.
Sipas tij, Teherani po shfrytëzon protestat qytetare kundër ndërtimit të një resorti në Zvërnec për të nxitur përplasje brezash dhe çarje brenda shoqërisë sonë.
Rexhaj sqaroi se kjo fushatë përfshin manipulime të imazheve me inteligjencë artificiale dhe montime me zhurma lufte civile për të dëmtuar imazhin e vendit. Synimi kryesor i këtij sulmi është dobësimi i autoritetit ndërkombëtar të Shqipërisë dhe mbajtja e një presioni të vazhdueshëm politik mbi qeverinë.
“Destabiliteti i Shqipërisë është në favor të Iranit. Kjo është më e thellë nga sa duket. Irani synon destabilizim. Nuk ka më asnjë dyshim që janë pas luftës hibride. Kjo luftë targeton të gjithë këto elemente, prandaj dhe shfaqen këto përplasje brenda brezave. Kërkojnë që të nxisin përplasje mes brezave.
Lufta hibride synon që të krijojë çarje brenda shoqërisë. Qytetarët jashtë bien pre e luftën hibride. Irani tenton që të prishë imazhin e vendit tonë. Marrin foto që janë në vende të tjera dhe nuk janë fare në Shqipëri dhe në bacground vendosin zhurma me mitraloz sikur ka një luftë civile. Qëllimi është që të dobësohet pesha dhe autoriteti i Shqipërisë. Kanë qëllim që ta dobësojnë në planin ndërkombëtar.
Duke manipuluar edhe me inteligjencë artificiale, edhe për numrin e protestuesve. Kjo është një gjë shumë e sofistikuar dhe e menduar shumë mirë. E treta është mbajtja e presionit politik mbi qeverinë. Irani nuk është i vetmi që bën luftë hibride, e ka edhe Rusia, por ata sulmojnë Perëndimin”, u shpreh Rexhaj.
