Partia Socialiste ka mbajtur qëndrimin e parë zyrtar për largimin nga grupi parlamentar të deputetes 26-vjeçare Marjana Koçeku.
Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, zbuloi se neomalsorja i ka fikur telefonin dhe as nuk ka njoftuar zyrtarisht largimin nga grupi.
“Unë jam bariu i grupit të PS, tani ju më pyesni, unë s’kam as njoftim nga ajo. Kur pashë statusin, e mora në telefon, e kishte fikur, s’kam komunikuar. Megjithatë secili ka vendimmarrjen e vet. Është nder i madh të jesh anëtar i Kuvendit. Por le ta provojnë njëherë këta pa trëndafilin e grushtin si dalin. Kisha një mik, kaubojsin, kështu thoshte, kur doli vetë e pamë si doli”, tha Taulant Balla.
Megjithatë, Balla garantoi se PS është e pashqetësuar nga largimi i Koçekut dhe nuk e konsideron një gabim të Edi Ramës.
“Me vërtet mendoni që do bëj analizë për një deputete që as ka qenë anëtare e PS, u bë deputete. Ç’mendoni? Edi Rama ka shumë merita, i ka mbajtur dyert hapur për kontribute. Kemi koalicion me qytetarët”, shtoi ai.
Balla komentoi edhe pretendimet e neomalsores se është kërcënuar nga Bajrajt e Shkodrës. Ai e paralelizoi këtë ngjarje me akuzat e vitit 2021 të Bardhit ndaj Berishës dhe Nokës për lidhje me Suel Çelën. Kreu i grupit socialist bëri thirrje që kjo situatë të sqarohet nga organet kompetente.
“Kërcënimet janë vepër penale, ashtu si moskallëzimi i krimit. Më kujtojnë kohën kur në 2021 Bardhi akuzonte Berishën e Nokën se ishin takuar me anëtarë grupesh kriminale në Elbasan. Pra s’është rasti i parë në politikë. Por absolutisht është e papranueshme. Duhet një hetim paraprak, i bëj thirrje Prokurorisë së Shkodrës të nisë hetim”, u shpreh më tej Balla.
Të njëjtin qëndrim kanë dhe kolegët socialistë për Koçekun. Deputetja e PS, Bora Muzhaqi, në një lidhje për ABC News kishte një këshillë për neomalsoren.
“Marjana duhet të shpjegohet për deklaratat, t’i referojë te organet kompetente. Është vendim personal i saj. Shpresoj të jetë mirë mendërisht dhe emocionalisht”, tha deputetja Muzhaqi.
