Greqia në flakë/ Atika në gjendje alarmi, zjarrfikësit në betejë për shuarjen e zjarrit

AKTUALITET


Zjarrfikësit dhe vullnetarët kanë kaluar një tjetër natë të vështirë duke luftuar me vatrat e zjarrit në Atikën Perëndimore, ndërsa autoritetet po përpiqen të ndalin përhapjen e flakëve drejt zonave të banuara.

Situata u rëndua të dielën, më 2 gusht 2026, kur ndodhi një aksident tragjik gjatë operacioneve ajrore për shuarjen e zjarreve. Dy helikopterë Bell, të angazhuar në misionet e ndërhyrjes, u përplasën në zonën e Psatha-s.

Si pasojë e përplasjes humbën jetën dy anëtarë të ekuipazhit të njërit helikopter, një shtetas grek dhe një danez. Ndërkohë, dy anëtarët e ekuipazhit të helikopterit tjetër, një grek dhe një britanik, u shpëtuan dhe pësuan vetëm lëndime të lehta.

Ndërkohë, beteja me flakët ka hyrë në ditën e katërt. Forcat zjarrfikëse janë përqendruar në tre fronte kryesore: mes zonave Agia Paraskevi, Krio Pigadi dhe Agios Nektarios, në Kandili të Megarës, si dhe në frontin mes zonave Loumpa dhe Toutouli.

Zjarrfikësit, të mbështetur nga dhjetëra vullnetarë, po punojnë pa ndërprerje për të penguar avancimin e zjarrit drejt banesave dhe për të vënë nën kontroll situatën.

Për shkak të rrezikut të lartë, autoritetet greke kanë lëshuar disa mesazhe emergjente përmes shërbimit 112. Në orët e para të mëngjesit, banorëve të zonave Agia Skepi, Kandili dhe Botsika iu kërkua të evakuoheshin menjëherë drejt Nea Peramos.

Më vonë, një tjetër alarm 112 u dërgua për banorët e Loumpas, Ano Alepochorit, Morfeikas dhe Stanes Morfas, të cilëve iu bë thirrje të largoheshin nëpërmjet rrugës provinciale Megara–Alepochori drejt qytetit të Megarës.

Autoritetet vijojnë të monitorojnë situatën, ndërsa kushtet e motit dhe erërat e forta mbeten faktorët kryesorë që vështirësojnë operacionet e shuarjes së zjarreve.



Skip to toolbar