Prej hapjes së kësaj fabrike të përpunimit të qumështit në vitin 1992 në Pogradec, pronarit të saj i është dashur që herë pas here të përshtasë teknologjinë për të rritur cilësinë e produktit që nxjerr në treg.
Megjithatë, me anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian kërkohet një tjetër standard.
“Na duhet investimi i ri për të plotësuar standardet që na kërkohen”, tha ai.
Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu e njohu me mbështetjen që ofron qeveria për sipërmarrjet që duan të bëhen më konkurruese në treg.
“Ka të bëjë me ato biznese, agroturizëm, agropërpunim, apo si ky, për të pasur mundësi përmes një kredie të lehtësuar deri në dhjetë vjet, një kredi me interes 2-3%, të mund të marrësh deri në 2 milionë euro kredi dhe pastaj qeveria të garantojë, përmes garancisë sovrane, kolateral deri në 70%, falë edhe bashkëpunimit me bankat e nivelit të dytë. Nëse ke nevojë për suport teknik, Ministria e Ekonomisë të vjen në ndihmë, me planin e biznesit të aplikosh për kredi të lehtësuar”, theksoi Koçiu.
Në dispozicion të nismës “Dyfisho sipërmarrjen tënde”, qeveria ka vendosur 250 milionë euro, por synimi është për më shumë se kaq.
“Nëse do të ketë interes, ne ta çojmë deri në 1 miliard euro mbështetjen”, theksoi ai.
Sipërmarrësit mund të aplikojnë për të përfituar nga fondet e qeverisë. Ndërkohë, në dispozicion të tyre do të vendoset edhe ekspertizë falas për të ndërtuar planet e biznesit.
Programi kombëtar “Dyfisho sipërmarrjen tënde” synon të lehtësojë aksesin në financim dhe të mbështesë investimet në sektorin bujqësor.
