Infantino nuk mund të rizgjidhet/ Detaji nga statuti i FIFA ndez sërish “luftën” juridike në FIFA

Më të fundit


Ditët kalojnë, ndërsa pozicioni i Gianni Infantino vazhdon të rëndohet dhe misioni i tij për t’u rizgjedhur si president i FIFA bëhet më i pamundur. Kreu i qeverisë botërore të futbollit vijon të vuajë pasojat e planit të tij kontrovers për të përfshirë investitorë privatë dhe shitjen tek ata të aksioneve të Kupës së Botës.

Sipas mediave ndërkombëtare, Gianni Infantino duhet të shpallet i papërshtatshëm për të kandiduar për një mandat tjetër si president i, pasi ai tashmë ka shërbyer për maksimumin e tre mandateve të lejuara sipas statutit të organit drejtues.

Ky pretendim i ngritur nga grupi për të drejtat e njeriut “FairSquare”, mbështetet edhe nga armiqtë publikë të zvicerianit të udhëhequr nga UEFA. Por duke iu përgjigjur interesimit të “The Athletic” në lidhje me këtë çështje, FIFA tha se ky nen i statutit është interpretuar vetëm pjesërisht nga pretenduesit.

Ky detaj pritet të jetë një tjetër betejë juridike mes palëve përpara zgjedhjeve që do të mbahen marsin e ardhshëm, gjithmonë nëse Infantino nuk detyrohet të tërhiqet përpara kohe si pasojë e presionit të madh.

Ndërkohë, kreu i FIFA vijon të humbasë aleatë. Izraeli është bërë vendi më i fundit që tërheq mbështetjen për rizgjedhjen e tij. Sipas raportimeve, tërheqja e mbështetjes nga ana e Izraelit u komunikua përmes një letre të nënshkruar nga Moshe Zuares, presidenti i federatës së futbollit të vendit./abcnews.al



Skip to toolbar