Administrata e presidentit amerikan Donald Trump po harton një strategji të re për Lindjen e Mesme pas përfundimit të luftës me Iranin, me fokus frenimin e Teheranit përmes bashkëpunimit rajonal dhe zgjerimit të normalizimit të marrëdhënieve mes Izraelit dhe vendeve arabe.
Lajmi është raportuar të premten nga Axios, sipas të cilit strategjia ndodhet ende në fazat e para të hartimit dhe synon të përcaktojë politikën e SHBA-së në rajon gjatë dy viteve të fundit të mandatit të Trumpit.
Sipas raportimit, procesi po zhvillohet në nivele të larta politike dhe ndërinstitucionale. Vetë presidenti Trump e ka diskutuar këtë strategji me këshilltarët e tij të lartë në dy takime të fundit, ndërsa privatisht i ka përshkruar planet si “diçka shumë më të madhe” për Lindjen e Mesme.
Në tryezë janë tre prioritete kryesore. E para lidhet me krijimin e një aleance rajonale të partnerëve të SHBA-së për të frenuar Iranin, me Uashingtonin në rolin e garantuesit të sigurisë.
Prioriteti i dytë është adresimi i çështjeve që kanë mbetur pas sulmeve të 7 tetorit, përfshirë fazën e ardhshme të planit të Trumpit për armëpushim në Gaza, një marrëveshje sigurie mes Izraelit dhe Sirisë, si dhe zbatimin e marrëveshjes mes Izraelit dhe Libanit.
Ndërsa objektivi i tretë është zgjerimi i Marrëveshjeve Abrahamike, përmes një marrëveshjeje të mundshme për normalizimin e marrëdhënieve mes Arabisë Saudite dhe Izraelit.
Sipas Axios, në hartimin e strategjisë po merren parasysh edhe zhvillimet e ardhshme politike. Zgjedhjet në Izrael më 27 tetor dhe zgjedhjet e mesmandatit në SHBA në nëntor konsiderohen faktorë të rëndësishëm.
Administrata Trump shpreson që qeveria e ardhshme izraelite të mbështesë strategjinë, por zyrtarët kanë deklaruar se presidenti synon ta çojë përpara planin pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve, edhe në rast të një ngërçi politik në Izrael.
Një burim i informuar për procesin i tha Axios se hartimi i strategjisë mund të zgjasë edhe disa javë.
“Po e gatuajnë, por ende nuk është gatuar”, tha burimi, duke nënvizuar se plani është ende në fazë pune dhe mund të pësojë ndryshime përpara se të finalizohet.
