Një plan fluturimi ushtarak, i futur gabimisht në sistemin informatik të qendrës së kontrollit ajror në Swanwick, dyshohet se ka shkaktuar bllokimin e sistemit të radarëve në Britaninë e Madhe. Problemi ka nisur që prej mbrëmjes së djeshme.
Deri tani, të paktën 2 mijë fluturime janë anuluar, ndërsa rreth 300 mijë pasagjerë janë prekur nga kaosi. Problemet janë përqendruar kryesisht në aeroportet e Londrës, të cilat janë ndër më të ngarkuarat në vend.
Hetimet janë ende në fazat e para dhe pritet që në orët në vijim të dalin më shumë detaje. Nëse informacioni konfirmohet, bëhet fjalë për një problem të ngjashëm me atë që ndodhi në vitin 2023. Edhe atëherë një plan fluturimi i vendosur gabimisht në sistem shkaktoi një bllokim të madh të trafikut ajror.
Kompanitë ajrore me kosto të ulët, mes tyre Ryanair, Wizz Air dhe easyJet, kanë kërkuar dorëheqjen e drejtorit ekzekutiv të Nats. Vendimi për të ardhmen e tij pritet të merret nga qeveria britanike, ndoshta që sot. Ky është tashmë incidenti i tretë i rëndësishëm në trafikun ajror britanik brenda tre vitesh.
Në fund të gushtit 2023, sistemi i planifikimit të fluturimeve të Nats pushoi së funksionuari pasi një kompani ajrore kishte futur një plan fluturimi me të dhëna të pasakta. Si pasojë, Britania e Madhe nuk mundi të komunikonte normalisht me sistemin evropian të Eurocontrol. Problemi preku rreth 700 mijë persona dhe shkaktoi dëme prej rreth 82 milionë eurosh.
Çfarë ndodhi këtë herë?
Sipas burimeve të cituara nga Corriere della Sera, edhe incidenti i 8 shtatorit mund të jetë shkaktuar nga një plan fluturimi i gabuar. Por këtë herë bëhet fjalë për një plan fluturimi ushtarak, i cili përdor një ndërfaqe të ndryshme nga fluturimet civile.
Megjithatë, edhe sistemi ushtarak duhet të komunikojë me pjesën tjetër të rrjetit të kontrollit ajror. Nëse kjo hipotezë konfirmohet, do të thotë se hetimi i vitit 2023 nuk kishte zbuluar një tjetër dobësi të rëndësishme të sistemit.
Burimet evropiane kritikojnë ashpër edhe mënyrën se si Nats e menaxhon sistemin. Sipas tyre, infrastruktura është shumë e vjetër dhe e ndërlikuar, aq sa edhe brenda kompanisë britanike ka vështirësi për ta kuptuar dhe administruar plotësisht. Kjo mund të shpjegojë edhe pse një problem relativisht i vogël mund të shkaktojë pasoja shumë të mëdha.
Një tjetër faktor që e përkeqëson situatën është se sistemi britanik funksionon shpesh pranë kapacitetit maksimal, me qëllim që të përpunojë sa më shumë fluturime. Kur sistemi bllokohet, pasojat për pasagjerët dhe kompanitë ajrore janë të menjëhershme dhe të mëdha.


