Kryeministri Rama bën një ndryshim tjetër në kabinetin qeveritar. Besfort Lamallari largohet nga Ministria e Brendshme jo shumë muaj pasi e drejtoi atë.
Pasuesi i tij është Ervin Demo, i cili nuk do të lërë punët e Pushtetit Vendor, por do të mbulojë të dyja sektorët, që deri më tani ishin të ndara.
Analisti Skënder Minxhozi thotë se fokusi i Ramës nuk është te emrat, por te politikat.
Në një intervistë për “Newsline” në ABC News, Minxhozi u shpreh se mazhoranca duhet të ndërmarrë aksione konkrete.
“Sot më shumë se kurrë, fokusi nuk është te emrat, por te politikat. Me gjithë respektin, nuk kam parë ndonjë lloj peshe te emrat. Ata thjesht, emërohen, vijnë dhe ikin. Sot ne jetojmë në një moment kur emrat janë relativizuar skajshëm. Pesha dhe fokusi, pika e gravitetit e qeverisë është tek kryeministri.
Këto emra që ikin e vijnë, nuk e di çfarë mund të japin. Mendoj se fokusi nuk duhet të vihet tek emrat, mendoj se momenti është që kryeministri dhe mazhoranca, të fokusohet tek masat konkrete. Duhet aksion konkret, më shumë sesa spostime ose rokada”, theksoi ai.


