Mbrojtja e Thaçit: Akuzat, spekulime/ Procesi special në Hagë, dita e mbrojtjes

KOSOVA


Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë vazhdon edhe këtë të premte paraqitja e fjalëve përfundimtare në procesin gjyqësor ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi me akuzën për pengim të drejtësisë. Rradha është për mbrojtjen, ndërsa avokatja kryesore e ish Presidentit i kërkoi gjykatësit të mos marrë vendim mbi një vepër penale që nuk është kryer.

“Ne kërkojmë që vendimi juaj të bazohet në prova dhe jo në spekulime, dhe që të jetë lirim nga të gjitha akuzat. Zoti Thaçi akuzohet për tentativë pengimi kundër personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare përmes veprimit të përbashkët të një grupi. Megjithatë, do të theksoj përsëri se krimet e pretenduara thuajse nuk ndiqen kurrë penalisht nga ligji penal ndërkombëtar. Prokuroria e bën këtë sepse duhet të mbulojnë dhe të justifikojnë masat tejet ndërhyrëse që kanë marrë ndaj zotit Thaçi për muaj të tërë.

Pra, regjistrimin, incizimet e fshehta të të gjitha bisedave të tij dhe bisedave telefonike dhe vizitave jo të privilegjuara, përfshirë atë me bashkëshorten dhe djalin e tij. Mbrojtja parashtron se provat e prokurorisë janë të dobëta, akuzat e tyre janë të dobëta, qoftë nga ana ligjore dhe ajo faktike, dhe këto justifikojnë për ligjin lirimin nga akuzat për zotin Thaçi për të gjitha akuzat e ngritura”, tha ajo.

Në arsyetimin e mbrojtjes ish presidenti i Kosovës është i pafajshëm dhe duhet të lirohet nga të gjitha akuzat.

Asnjë nga të akuzuarit nuk ndodhet sot në sallë. Thaçi e ndjek seancën nga paraburgimi, ndërsa të tjerët/të liruar me kusht nga Kosova.

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar gjashtë vjet burgim për Thaçin dhe nga tre vjet për Smakajn, Kilajn dhe Fazliun, si dhe nëntë muaj burgim për Kuçin, të akuzuarit e tjerë në dosjen Thaçi 2.

Seancat po mbahen pak ditë përpara vendimit përfundimtar për akuzën për krime lufte ndaj katër ish krerëve të uçk, për të cilin mbrojtja thotë se ka qenë një proces politik.

Në Hagë, në 15 dhe 16 shtator diaspora po organizohet për ta ndjekur nga afër procesin, ndërsa në Prishtinë do të vendoset një ekran i madh për ta ndjekur seancën nga sheshi qëndror, në pritje të çlirimtarëve.



Skip to toolbar