Kuvendi i Kosovës ka votuar Qeverinë e re të udhëhequr nga Albin Kurti , duke i hapur rrugë nisjes së mandatit të katërt të tij si kryeministër.
Qeveria e re mori 62 vota për, 8 kundër dhe asnjë abstenim, nga deputetët e pranishëm në seancë.
Para votimit, Kurti prezantoi në Kuvend ekspozenë e Qeverisë së re, ku u ndal te prioritetet e ekzekutivit dhe te rezultatet që, sipas tij, janë arritur gjatë mandatit të kaluar.
Në fjalën e tij, kryeministri veçoi zhvillimet në ekonomi, masat sociale dhe mbështetjen për sektorë të ndryshëm, duke paraqitur njëkohësisht edhe objektivat e qeverisë për mandatin e ri.
Me votimin e sotëm, Qeveria e re e Kosovës nis zyrtarisht punën, ndërsa Kurti konsolidon një tjetër mandat në krye të ekzekutivit të vendit.
Në seancën ku u votua Qeveria e re nuk ishin të pranishëm deputetët e PDK-së, LDK-së dhe Aleancës.
Në sallë ishin vetëm deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Listës Serbe dhe përfaqësuesit e komuniteteve jo shumicë.


