Erdogan kërkon OKB pa veto, Presidenti turk kërkon reformë të Këshillit të Sigurimit dhe përfaqësim më të drejtë

BOTA


Rexhep Tajip Erdogan ka bërë thirrje për një reformim gjithëpërfshirës të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, përfshirë heqjen e së drejtës së vetos për pesë anëtarët e përhershëm.

Sipas presidentit turk, sistemi ndërkombëtar i vendimmarrjes duhet të pasqyrojë më mirë realitetet e botës së sotme. Në një artikull të botuar në Bloomberg me titullin “OKB-ja duhet të heqë veton e Këshillit të Sigurimit”, Erdogan argumentum se krizat e viteve të fundit, përfshirë pandemitë, goditjet në sektorin e energjisë, ndërprerjet e zinxhirëve të furnizimit dhe konfliktet rajonale, kanë treguar kufizimet e një sistemi ku zgjidhja e sfidave globale varet në masë të madhe nga vendimet e një numri të vogël shtetesh.

Duke theksuar nevojën që mekanizmat globalë të vendimmarrjes t’u përshtaten kushteve të sotme, kreu i shtetit turk i mëshoi idesë se Këshilli i Sigurimit vazhdon të pasqyrojë një strukturë të krijuar në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore. Sipas Erdogan, nevojitet një sistem përfaqësimi “më efektiv, më i drejtë dhe më i përgjegjshëm”, si dhe një pjesëmarrje më e gjerë në proceset e vendimmarrjes globale. Më tej, ai deklaroi se slogani i Turqisë, “Bota është më e madhe se pesë”, duhet të kuptohet si një thirrje për një shpërndarje më të gjerë të përgjegjësisë dhe përfaqësimit në sistemin ndërkombëtar.

Këshilli i Sigurimit është kritikuar prej kohësh për një përqendrim të konsiderueshëm të pushtetit te pesë anëtarët e përhershëm me të drejtë vetoje: Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Rusia dhe Kina.



Skip to toolbar