Ndryshon Kodi Doganor/ Më shumë lehtësi për bizneset, kufi për kamatvonesat

AKTUALITET


Ndryshon kodi doganor. Në fokus të rishikimit të ligjit është ofrimi I më shumë lehtësive për bizneset apo individët që importojnë apo eksportojnë mallra . Bizneset që kanë detyrime të papaguara në Dogana do të kenë një kufi për kamatvonesat.

Projektligji i ri I hedhur për konsultim parashikon që kamatvonesa të mos jetë më e lartë se vetë detyrimi doganor. Pra, nëse një biznes ka një borxh për import apo eksport, kamata që i shtohet këtij borxhi nuk mund të kalojë vlerën e detyrimit fillestar.

Sipas Ministrisë së Financave, vendosja e këtij kufiri synon t’u lehtësojë debitorëve shlyerjen e borxheve dhe t’i nxisë ata që t’i paguajnë detyrimet doganore. Në draft ka një rishikim edhe të afateve për ankimim ndaj vendimeve të Doganave.

Subjektet që preken drejtpërdrejt nga një vendim doganor do të kenë të drejtë të ankohen. E njëjta e drejtë do të jetë edhe për ata që kanë bërë një kërkesë në Dogana, por nuk kanë marrë përgjigje brenda afatit ligjor.

Ankimi do të mund të bëhet brenda 15 ditëve, ndërsa Doganat do të kenë 30 ditë për të marrë një vendim dhe për të kthyer përgjigje. Në rast se vendimi është marrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, subjekti do të mund t’i drejtohet gjykatës brenda 45 ditëve.

Projektligji sjell ndryshime edhe për garancitë doganore. Në raste të caktuara, nuk do të kërkohet garanci për mallra me vlerë deri në 1000 euro ose me peshë deri në 1000 kilogramë.

Ndërkohë, ndryshojnë edhe rregullat për kursin e këmbimit valutor. Doganat do të kenë detyrimin të publikojnë kursin që do të përdoret në procedurat doganore, bazuar në kursin e Bankës së Shqipërisë. Ndryshimet synojnë të rregullojnë më qartë pagesën e detyrimeve, ankimet dhe procedurat e tjera doganore.



Skip to toolbar