Falen 450 milionë euro gjoba/ Binaj: Borxhet e falura deri në 31 gusht

AKTUALITET


450 milionë euro detyrime tatimore janë falur deri më 31 gusht të këtij viti.

Shifra është bërë publike nga Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj, gjatë raportimit në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale.

Skema e faljes fiskale është një nga nismat më të mëdha të ndërmarra vitet e fundit për pastrimin e stokut të detyrimeve të vjetra tatimore dhe për lehtësimin e barrës financiare të bizneseve dhe individëve.

Kontrollet e administratës tatimore janë përqendruar së fundmi në sektorët e turizmit dhe ndërtimit, të cilët konsiderohen ndër fushat me rëndësi për monitorimin e aktivitetit ekonomik dhe përmbushjen e detyrimeve fiskale.

Gjatë raportimit, Binaj tha se po zhvillohen sisteme të reja digjitale në kuadër të integrimit, me synim përmirësimin e proceseve dhe shërbimeve të administratës.

Në vitin 2025 Administrata Tatimore mblodhi më shumë se 4,7 miliardë euro të ardhura, 11,8% më shumë krahasuar me një vit më parë.



Skip to toolbar