Kryeministri Edi Rama ka folur në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për zhvillimet e fundit në Shqipëri dhe ndikimin e inteligjencës artificiale.
Rama tha se gjatë qëndrimit në OKB është surprizuar pozitivisht nga interesi i shumë bashkëbiseduesve për atë që po ndodh në Shqipëri, veçanërisht sa i përket përdorimit të inteligjencës artificiale.
“Jam i surprizuar shumë pozitivisht që shumë miq donin të dinin rreth asaj që po ndodh në vendin tonë me IA dhe mendova që ishte ide e mirë të ndaja me ju mendimet për këtë”, u shpreh Rama.
Kryeministri theksoi se inteligjenca artificiale po sjell ndryshime të mëdha në mënyrën se si ndërtohet dhe kuptohet realiteti.
“IA po ndryshon. Kush mund të prodhojë një realitet të kalibruar mbi frikërat e një personi?”, tha Rama.
Ai nënvizoi gjithashtu se Shqipëria, sipas tij, nuk është thjesht një vend që ndjek zhvillimet më të fundit teknologjike, por një vend që po përjeton ndryshime që pjesë të tjera të botës ende po i diskutojnë.
“Shqipëria nuk është zhvilluese e modeleve të fjalës së fundit, por jemi një komb që e kemi jetuar të ardhmen që të tjerët janë duke debatuar”, deklaroi kryeministri.


