Bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Territoriale, Arbian Mazniku, ka mbrojtur në Kuvend propozimin për riorganizimin e ri territorial të vendit.
Mazniku tha se procesi është shoqëruar me 11 dëgjesa dhe 23 mbledhje parlamentare, ndërsa të 61 bashkive u është dhënë mundësia të shprehin qëndrimet e tyre.
Ai kundërshtoi propozimin për 100 bashki, duke argumentuar se një numër më i madh njësish do të dobësonte ekonominë dhe kapacitetet vendore. Sipas Maznikut, modeli me 46 bashki do të fuqizojë pushtetin vendor dhe do t’u shërbejë më mirë qytetarëve.
Ai e lidhi reformën edhe me procesin e integrimit në BE, duke theksuar nevojën për bashki më të forta dhe me kapacitete për përthithjen e fondeve europiane.
“Sa i takon konsultimit, pika e parë, komisioni nga parlamenti bëri 11 dëgjesa dhe 23 mbledhje. Të gjitha ato produkte janë material parlamentar dhe ka një vlerë sot e në të ardhmen për të analizuar se si mund të ecim përpara. Elementi i dytë: pala propozuese e reformës territoriale, nëse ka diçka që mund të ndryshojë, u kërkon mendim bashkive. Ua kemi dërguar 61 bashkive dhe u është dhënë koha deri në 60 ditë për të kthyer përgjigje. Të gjitha këto mendime janë marrë.
Kemi interesa të përbashkëta ekonomike, kulturore dhe kemi plotësuar kërkesën e dëgjesave të njerëzve. Pse na duhet kjo reformë? PS nuk ka interesa elektoralë për këtë çështje, kemi fituar 55 bashki nga 61 dhe i fitojmë sërish me apo pa reformë. Dhe PS ka sërish kapacitet që të fitojë. Interesi i vetëm i PS është interesi i qytetarëve. Ju kërkoni 100, si lojë kungulleshkat, kërkoni 100 bashki që të merrni më shumë. Më shumë bashki dhe bashki më të dobëta.
Nëse ka një projekt që është centralizues, që ua heq fuqinë qytetarëve dhe bashkive, është ai i 100 bashkive, sepse dobëson ekonominë. Nëse ka një projekt që fuqizon qytetarët, është ai i 46 bashkive. Këtë e them duke u parë në sy. Do jemi këtu pas 4 vitesh dhe territori shqiptar do të jetë më i mirë, do të ketë më shumë rrugë dhe kopshte.
Së fundmi: Jemi në një moment shumë të rëndësishëm. Do të mbyllim negociatat në 2027, në 2029 do të jemi një vend anëtar i BE. Dhe kur të jemi anëtarë, do të kemi fondin social, për një zhvillim më të madh të territorit. E vetmja rrugë që kemi është që të krijojmë komuna të forta me kapacitete. E vetmja rrugë për të ecur përpara është që të bëjmë bashki më të forta. E vetmja gjë që kemi mësuar nga historia është që bashkimi bën fuqinë”, tha Mazniku.


