Bashkëkryetari i Reformës Territoriale, Arbjan Mazniku, ka komentuar qëndrimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës lidhur me ndryshimet territoriale, duke renditur tre elemente kryesore.
Mazniku tha se kryetari nuk është kundër reformës në parim dhe se më herët ka qenë në favor të kalimit të Rinasit në Bashkinë e Tiranës.
Sipas tij, Veliaj nuk është konsultuar për shkak të pamundësisë së tij për të qenë pjesë e procesit, ndërsa theksoi se mungesa e kryetarit është një prej problemeve me të cilat përballet aktualisht Tirana.
Ai tha gjithashtu se 11 bashkiakë janë shprehur kundër, ndërsa theksoi se, sipas tij, asnjë bashki nuk zhduket nga reforma, përfshirë edhe në aspektin elektoral.
”Ka tre elemente. Së pari, kryetari Veliaj thotë se nuk është kundër reformës në parim. Së dyti, thotë që kryetari ka qenë në favor të kalimit të Rinasit në Bashkinë e Tiranës. Së treti, është e vërtetë që kryetari nuk ka pasur mundësi të konsultohet. Veliaj nuk është konsultuar sepse ka qenë në pamundësi. Ky është problemi më i vogël që ka Tirana që erdhi nga mungesa e kryetarit. Tirana ka një sërë problemesh. Kryetari duhet të kishte qenë një ndër njerëzit më aktivë. 11 bashkiakë janë shprehur kundër. Asnjë bashki nuk zhduket nga reforma, as elektoralish. PS ka votat e nevojshme për të ecur përpara, nëse reforma kalon.”


