Nga Muharrem Haklaj
Kërkesa ime është për Shqipërinë.
Kosova është viktimë e agresionit serb. Populli i Kosovës, bijtë dhe bijat e saj, me qëndresën dhe vetëmbrojtjen e tyre, së bashku me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, arritën lirinë që Kosova gëzon sot.
Prandaj kërkoj që, sipas procedurave dhe kompetencave përkatëse ndërkombëtare, të shqyrtohet përfundimi i mandatit dhe mbyllja e gjykatës për Kosovën, ndërsa vëmendja e drejtësisë ndërkombëtare të përqendrohet te një çështje që, sipas meje, është lënë pas dore, Shqipëria.
Shqipëria ka nevojë për një gjykatë ose mekanizëm të posaçëm ndërkombëtar të drejtësisë, me seli ose zyra në Hagë.
Kërkoj që kjo gjykatë të hetojë në mënyrë të pavarur ngjarjet më të rënda që kanë ndodhur në Shqipëri nga viti 1990 deri në ditët e sotme. Vrasjen e Arben Brocit dhe shokëve të tij në Shkodër, ngjarjen e Otrantos, vrasjen dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës, skemat piramidale, ngjarjet e vitit 1997, vrasjet në Tropojë, Gërdecin, çështjen e Kosta Trebickës, 21 Janarin dhe ngjarje të tjera të rënda.
Në këtë kuadër kërkoj të hetohet Sali Berisha, i cili ka qenë President dhe Kryeministër i Shqipërisë gjatë periudhave të ndryshme, për çdo përgjegjësi që mund të rezultojë nga provat dhe dokumentet.
Kërkoj gjithashtu hetim të plotë për ngjarjet që kanë goditur familjen time:
- Sokol Haklaj dhe Ibrahim Rrustemi – 22 qershor 1997
- Shkëlqim Haklaj dhe Artur Demiri – 5 janar 1998
- Arijan Malaj – 23 shkurt 1998
- Eduart Haklaj – 6 maj 1999
- Halil Haklaj dhe Feriz Kërrnaja – 4 gusht 1999
- Fatmir Haklaj – 4 nëntor 1999
- Ylli Haklaj – 3 dhjetor 2000
- Elez Isufi dhe Cene Haklaj – 8 maj 2002
Kërkoj që të hetohet jo vetëm kush ka kryer krimet, por edhe kush i ka urdhëruar, organizuar, financuar, mbrojtur ose kush ka penguar zbardhjen e tyre.
Nuk kërkoj hakmarrje dhe nuk kërkoj dënimin e askujt pa prova.
Kërkoj vetëm një proces të pavarur ndërkombëtar, ku të flasin dokumentet, dëshmitarët dhe provat.
KËRKESA IME ËSHTË PËR SHQIPËRINË
Shqipëria ka nevojë për një gjykatë ndërkombëtare në Hagë.
Jo për hakmarrje politike.
Jo për të dënuar njerëz pa prova.
Por për të zbardhur të vërtetën, për të vendosur drejtësi dhe për t’u dhënë përgjigje familjeve të viktimave.


