I frymëzuar nga 11 shtatori, bashkëpiloti i Flydubai planifikoi përplasjen e avionit në Tel Aviv

BOTA


Bashkëpiloti i një avioni të kompanisë ajrore Flydubai, i cili sulmoi kapitenin gjatë fluturimit më 30 shtator, kishte planifikuar ta përplaste avionin në aeroportin ndërkombëtar të Tel Avivit, në Izrael. Detajet janë bërë publike nga prokurori i përgjithshëm i Emirateve të Bashkuara Arabe.

Sipas hetimeve, bashkëpiloti me shtetësi nga Omani ishte frymëzuar nga sulmet terroriste të Al-Kaedës më 11 shtator 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Prokuroria bëri të ditur se ai synonte të shkaktonte numrin më të madh të mundshëm të viktimave.

Sipas mediave shtetërore, hetimet zbuluan se ai kishte plotësuar kërkesat profesionale dhe të sigurisë për t’u punësuar si pilot. Ai kishte licencë fluturimi, kishte dorëzuar një dëshmi të sjelljes së mirë dhe kishte kaluar kontrollet e kërkuara. Megjithatë, më herët atij i ishte ndaluar fluturimi në Oman për shkak të pikëpamjeve ekstremiste.

Ngjarja ndodhi më 30 shtator, kur bashkëpiloti sulmoi me sëpatë kapitenin indian të avionit. Sipas dëshmive të pasagjerëve, avioni pësoi një rënie të menjëhershme prej rreth 5 mijë metrash, duke shkaktuar panik në bord.

Pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit ndërhynë për të ndaluar sulmuesin dhe për të rimarrë kontrollin e situatës. Kapiteni, megjithëse i plagosur, arriti të hapte derën e kabinës së pilotëve, duke u dhënë mundësi të tjerëve të neutralizonin bashkëpilotit. Avioni më pas kreu një ulje emergjente në Arabinë Saudite.

Shumica e pasagjerëve në bord ishin shtetas izraelitë. Të enjten, presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, nderoi me Çmimin Presidencial për Heroizëm Civil gjashtë shtetas izraelitë që ndihmuan në pengimin e tentativës për rrëmbimin e avionit.

Gjatë ceremonisë, Herzog vlerësoi guximin dhe zgjuarsinë e pasagjerëve, por theksoi se autoritetet duhet të japin përgjigje të plota për mënyrën se si ndodhi ngjarja.

“Guximi dhe zgjuarsia e treguar nga heronjtë e pranishëm këtu nuk mund të lënë në hije detyrimin për të marrë përgjigje të plota. Të gjithë ne meritojmë përgjigje të qarta dhe të kënaqshme”, deklaroi ai, sipas gazetës The Jerusalem Post.

Edhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, përgëzoi pasagjerët dhe pilotin për guximin e treguar në parandalimin e sulmit. Ai urdhëroi gjithashtu një shqyrtim të plotë të të gjitha masave të sigurisë që lidhen me fluturimet e kompanive të huaja drejt Izraelit.

Hetimet pritet të hedhin më shumë dritë mbi rrethanat e ngjarjes dhe mënyrën se si një person me pikëpamje ekstremiste arriti të punësohej si bashkëpilot.



Skip to toolbar