Kryetari i Grupit Parlamentar i PS, Taulant Balla, i bëri thirrje Partisë Demokratike që të vijë në seancë dhe të votojë ngritjen Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale.
Ai theksoi se pas miratimit të hartës, duhet ecur përpara me procesin në lidhje me kompetencat që do ketë pushteti vendor.
“Te Konferenca e Kryetarëve kanë qenë përfaqësuesit e PS-së, ishte Tedi Blushi aty nga opozita. Nuk e kuptova qëndrimin e PD-së. Shpresoj që të ketë reflektim. Përfaqësuesit e PD-së u larguan pa kuptuar atë që donim të thoshim ne. Edhe Partia Demokratike, sot që flasim ka propozuar një ndarje me 100 bashki, ndërsa Territorialja është votuar në parlament.
Thelbi i diskutimit ka qenë se çfarë kompetencash do i transferojmë pushtetit lokal.
Nëse e kanë me merak këtë problem, të vijnë në Komision. Hajde të diskutojmë edhe për fondet që do ndahen për bashkitë. Hajde të flasim për rajonet. Opozita të vijë për të votuar në seancë plenare. Ndarja e re administrativo-territoriale është në përputhje me Kushtetutën”, tha ai.
Megjithatë, opozita e braktisi mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve gjatë diskutimeve të kësaj të marte për Reformën Administrativo-Territoriale.


