Kreu i Dhomës së Tregtisë theksoi se protestat paqësore janë një e drejtë themelore e qytetarëve, por dhuna, zjarrvënia dhe vandalizmi nuk mund të justifikohen për asnjë arsye. Edhe pse nuk kanë ende një bilanc përfundimtar, ata shprehen se ambientet e bizneseve në qendër janë shkatërruar plotësisht.
Bizneset u bëjnë thirrje organizatorëve të protestave dhe forcave politike të distancohen nga dhuna dhe të ndihmojnë në uljen e tensioneve.
“Protesta është ndoshta i vetmi zë qytetar, por a është ky mjeti për ta rritur këtë qëllim, kjo mbetet për t’u parë. Shkatërrimi i pronave private, precedent penal”, u shpreh Jaka.
Sipas përfaqësuesve të biznesit, situata kaotike krijon pasiguri dhe dëmton imazhin te investitorët.
Shoqatat e biznesit i bëjnë thirrje Policisë së Shtetit dhe institucioneve përgjegjëse të përmbushin me vendosmëri detyrimin për ruajtjen e rendit, mbrojtjen e jetës dhe garantimin e paprekshmërisë së pronës publike e private. Një tjetër kërkesë e përfaqësuesve të biznesit ishte edhe dokumentimi i plotë i dëmeve dhe bashkëpunimi mes institucioneve dhe bizneseve të prekura, për të mundësuar denoncimin dhe ndjekjen e procedurave ligjore.


