Eksperti i Kriminalistikës, Ervin Karamuço, ka kërkuar një hetim të plotë për dronët e sekuestruar gjatë protestës së të shtunës, duke ngritur dyshime për organizimin dhe mënyrën e veprimit të grupeve të përfshira në aktet e dhunës.
Në një intervistë për ABC News, ai deklaroi se SPAK duhet të hetojë çdo element që mund të zbardhë planifikimin e ngjarjeve.
Karamuço u shpreh se autoritetet nuk e kishin parashikuar nivelin e dhunës dhe shkallën e organizimit të protestës, të cilën e cilësoi si të pazakontë krahasuar me protestat e zhvilluara më parë.
Sipas tij, grupet e përfshira në përplasjet me policinë kanë vepruar në mënyrë të koordinuar, duke përdorur mjete të ndryshme për t’i bërë ballë ndërhyrjes së forcave të rendit.
Gjatë intervistës, Karamuço foli edhe për atë që e cilësoi si shfaqje të hershme të simboleve të lëvizjes Antifa në Shqipëri, duke shtuar se fillesat e saj datojnë që në vitin 2025.
Ai ngriti gjithashtu pretendime për rekrutimin e të miturve nga kjo lëvizje, pa dhënë në deklaratën e cituar detaje apo prova konkrete që t’i mbështesin këto pohime.
“Ne nuk ishim të përgatitur dhe bënim analizoi se do ishin protesta siç i kemi njohur. Por protesta e të shtunë u shoqërua me dhunë që nuk ishte parë asnjëherë dhe organizim sic nuk i kemi parë. Këtë radhë pati një rezistencë të jashtëzakonshme të të gjitha mjeteve që policia vuri në veprim. Po flasim për nj grup guerrile që shkatërroi gjysmën e Tiranës. Ky nuk është një problem i pushteti, por një problem që na takon të gjithëve për të mbajtur shtetin në këmbë. Jemi shtet i NATO-s. E shtuna ka qenë një limit i madh ku Shqipëria është varur në fije të perit…Mjetet që përdorën grupet guerrile dhe grupet e zjarrin ishte të mirë-organizuara dhe flisnin midis tyre dhe më thonë që janë përmendur municion dhe eksplozive. Nuk di të them nëse ka pasur plan për eksploziv me dron, por duhet të hetohen sepse edhe planifikimi i pandodhur është shumë i rëndë dhe i dënueshëm. Populli duhet t’i njohë se deri në çfarë pike ka vajtur planifikimi i tyre, i dronëve i kaosit në rrugë, i djegieve, plaçkitjeve. Ne i kemi parë në lutën guerrile në Evropë. Organizimi i grupeve ishte dhe me gps për të parë lëvizjet e makinave të policisë. Duhet të shohim dronët, çfarë janë sekuestruar dhe duhet hetim shterues dhe janë vepra që hyjnë në atë kapitull në akte terroriste. Kjo nuk ka filluar tani, unë kam parë simbole në Tiranë, fillesa që në 2025 në Shqipëri. Antifa ka rekrutuar minorenë”, tha ai.


