“Antifa do të marrë peng Europën”, Kryeministri paralajmëron falangat ekstremiste të majta

#NËRADAR


Rama: Këta janë një pjesë e komponentit kriminal të një proteste e cila u heroizua nga ekranet e korruptuara, nga VIP-at dhe nga të gjithë ata që shtriqen në sallonet e mbrëmjes duke grabitur pensionet që paguhen me shuma të majme të padeklaruara dhe që në ndërkohë qajnë hallin e pensionistëve, qajnë hallin e studentëve, kërkojnë më shumë për popullin shqiptar, por përsëri e thashë kjo është një temë tjetër.

Të gjitha këto nuk duan thonë që studentët, qytetarët, familjet e zakonshme të këtij vendi që janë kundër kësaj qeverie nuk kanë asnjë të drejtë. Përkundrazi, të gjitha këto duan të thonë vetëm një gjë që rruga për të kërkuar të drejtat, rruga për të luftuar demokratikisht kundër kujtdo që ti ndjehesh se nuk të përfaqëson, është rruga paqësore e ballafaqimit demokratik të ideve dhe të forcave.

Idetë ballafaqohen çdo ditë, forcat ballafaqohen në zgjedhje. E në ndërkohë mes të dyjave qëndron edhe liria e paprekshme, e drejta e padiskutueshme e protestës paqësore. Fakti është se, me ose pa vetëdije instinktivisht shumë studentë, shumë qytetarë që gjejnë arsye për të protestuar ndaj qeverisë dhe ndaj meje personalisht, nuk iu bashkuan asaj turme, e cila në kulmin e vet arriti të jetë në 1500 vetë një konglomerat ku padyshim, brenda vetes ka edhe studentë, të reja dhe të rinj idealistë, idealistë por krejtësisht të keqkuptuar të radikalizuar e të ekstremizuar me teoritë destruktive të Antifa-s dhe të një ideologjie antikapitaliste, e cila tek dhuna dhe tek terrori ka identifikuar mjetin për të marrë peng Europën, për të marrë peng vendet demokratike, për të marrë peng institucionet, për të marrë peng këtë rrugë të zhvillimit që kemi zgjedhur të gjithë së bashku.

Atyre u them të distancohen nga dhuna. Idetë janë çështje zgjedhje dhe në një vend të lirë e demokratik gjithkush mund të ketë idetë e veta. Por dhuna nuk është ide. Dhuna është krim. Dhuna është armik i demokracisë, është armik i lirisë, është armik i qetësisë, është armik i sigurisë dhe nëse Shqipëria ka shumë gjëra për të bërë ende, Shqipëria ka një domosdoshmëri absolute për të garantuar në të përditshmen e vetë sigurinë. Sigurinë e pacënueshme të rendit dhe të lirisë dhe të qetësisë së çdo individi, të kujtdoqoftë që qarkullon i lirë në rrugët e vendit dhe jo më të përfaqësuesve të zgjedhur të popullit të vetë.

Ka një orë për të folur për të gjitha. Ora për të folur sot ishte kjo. Nesër do t’ju ekspozojmë të tjera gjëra, për të ndarë me të gjithë një bindje të rrënjosur tek informacioni, të rrënjosur tek funksionimi i institucioneve, bindjen se askush nuk do të mbetet pa u ekspozuar.



Skip to toolbar