Basha ndryshon mendje prapë: Jo zgjedhje në 13 tetor (me Ramën)

AKTUALITET


Lulzim Basha  ka shkruar një Twitter për vizitën e tij në Vienë, tre ditë pas publikimit të lajmit se liderët e opozitës po zhvillojnë një vizitë në kryeqytetin e Austrisë, ku do të takonin drejtues të lartë të OSBE. Basha shkruan në mesazhin e tij: “Në Vienë me përfaqësuesit e lartë të OSBE ndamë shqetësimin për krizën dhe qëndrimin e pandryshuar të Opozitës së Bashkuar: zgjedhje të lira e të ndershme me një qeveri tranzitore pa Edi Ramën, që garanton lirinë e votës dhe ndëshkimin nga drejtësia të hajdutëve të zgjedhjeve”.

Pra, kreu i PD rikthehet te retorika “Rama ik”, ndonëse ditët e fundit ka lënë të kuptohet se ishte gati të futej në zgjedhje (ndoshta  dhe me Ramën Kryeministër). Një deklaratë të tillë e bëri disa ditë më parë pas një takimi me Presidentin Ilir Meta, ku pas 40 minutash bisedë kokë më kokë me kreun e shtetit, Basha u shpreh se 13 tetori ishte një mundësi për të zgjidhur  krizën. Megjithatë, deklarata e Bashës duket se del kundër asaj të Kryemadhit, që tre ditë më parë në Durrës, por dhe të mërkurën në Berat, foli për fushatë elektorale të LSI dhe përgatitjen për zgjedhjet.

Ndërkohë, të enjten Ilir Meta i bëri thirrje opozitës  nga Durrësi të jetë e përgjegjshme dhe të marrë pjesë në zgjedhjet e 13 tetorit. “Opozita të jetë e përgjegjshme për të marrë pjesë në këto procese demokratike. Në rast se opozita nuk dëshiron të marrë pjesë në një proces të ligjshëm, opozita fjala vjen Partia Demokratike, LSI-ja, disa parti të tjera, atëherë jam i sigurt që do të inkurajohen disa forca të tjera politike, të cilat të paktën të kenë kandidatë në të gjithë Shqipërinë e të regjistrohen në kohë” tha Meta.

Ky qëndrim i Lulzim Bashës vjen në një moment, ku opozita po përpiqet me çdo mjet ligjor për të nxjerr të pavlefshëm 30 qershorin, dhe në krahun tjetër, kërkon ndërmjetësim ndërkombëtar për zgjidhjen e krizës. Nuk dihet ende nëse qëndrimi i Bashës për “Rama ik”, pas takimeve në Vjenë,  është edhe i aleatëve të tjetër të opoziës dhe veçanërisht Monika Kryemadhit, megjithëse në mesazhin e tij, Basha saktëson “qëndrim i pandryshuar i opozitës së bashkuar”.



Skip to toolbar