KQZ vendos sot për 13 tetorin e Metës

Komisioni Qëndror Zgjedhor ka njoftuar se do të mblidhet të shtunën në orën 10 për të shqyrtuar kërkesën e partive të vogla të djathta për nisjen e procedurave për zhvillimin e zgjedhjeve në 13 tetor, datë e dekretuar nga presidenti Ilir Meta.

Të premten tre aleatët e Partisë Demokratike, LSI, PAA dhe PR, i kanë dërguar zyrtarisht një kërkesë KQZ përmes të cilës kërkojnë që të shqyrtohet dekreti i presidentit për zhvillimin e zgjedhjeve më 13 tetor. Kërkesa është firmosur nga Fatmir Mediu, Agron Duka dhe nga Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Endrit Braimllari, duke treguar kështu qëndrimin kundër që këto forca politike kanë me kreun e PD, Lulzim Basha i cili ka deklaruar se nuk hyn në zgjedhje pa largimin e Edi Ramës dhe është tërhequr nga data 13 tetor.

Ndërsa aleatët e PD kanë deklaruar se janë pro hyrjes në zgjedhje më 13 tetor, megjithëse kjo datë nuk është marrë në konsideratë nga mazhoranca, për të cilën zgjedhjet janë zhvilluar në 30 qershor, ndërsa dekreti për 13 tetorin është anti kushtetues.

Anëtari i KQZ-së, Bledar Skënderi ka deklaruar se me datë 13 tetor nuk ka zgjedhje dhe se për këtë institucion është zyrtarisht ditë pushimi. Skënderi ka deklaruar se nëse 13 tetori do të ishte një datë normale zgjedhjesh, puna duhet të kishte gjashtë muaj më parë, gjë e cila nuk ka ndodhur, pasi 30 qershori është “kapitull” i mbyllur për KQZ-në, ndërsa sipas Kodit Zgjedhor subjektet politike duhet të regjistrohen për zgjedhje 70 ditë përpara, afat i cili mbaron më 4 gusht.

Kolegji Zgjedhor është shprehur për dekretin e parë të presidentit, atë për anulimin e 30 qershorit duke e cilësuar atë nul për shkak se vendimi është marrë përtej afateve kushtetuese dhe përtej kompetencave që kushtetuta i njeh presidentit, argumente këto që vlejnë njëlloj edhe për dekretin e datës 13 tetor.

Ristani skeptik për 13 tetorin: Do dakordësi, por po del jashtë afateve

13 tetori, data e re e zgjedhjeve të dekretuar nga Presidenti Meta, Arben Ristani e cilësoi si të pamundur dhe të pavlefshme nëse palët nuk bien sa më shpejt dakord .“Nuk mund të ketë 13 tetor nëse nuk ka dakordësi mes palëve” tha Ristani nga studio e emisionit “Real Story” duke shtuar gjithashtu se sa më shumë ditët kalojnë pa arritjen e një marrëveshje aq më i vështirë dhe i pamundur bëhet 13 tetori. Ristani cilësoi se dialogu dhe reflektimi sa më shpejt mes palëve politike është gjëja e duhur për kthimin në normalitet të vendit.

Për momentin politika është kapur pas datës 13 tetor që sigurisht pas arritjes me dakordësinë e palëve mund të ketë një 13 tetor. Kjo nuk do të ishte një çudi e madhe, megjithëse gjërat kanë shkuar larg tashmë. Mbase pasi të dal nga loja edhe 13 tetori do të shtrohet ndryshe, por unë shpresoj më shpejt tek një reflektim për situatën. Këtu kaosi është prezent, këtu çuarja e shtetit në një absurditet është i prekshëm, të gjithë e shohim dhe e dimë, ne ecim mbi mina në rrugë tonë dhe shpresoj shumë që mendjet të ndriçohen dhe njerëzit të ulen në bisedime dhe të gjejnë gjuhën për të mirën e këtij vendi. Unë besoj se vendi duhet futur në rrugën e vet normale dhe në të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe shqiptarët të vendosin se si dhe nga kush duan të drejtohen.” – tha Ristani

Ristani ka komentuar edhe vendimet e ndryshme të gjykatave për konfirmimin e mandatit të Kryetarëve të rinj të Bashkisë, duke cilësuar se kjo ndodh për shkak të mungesës së Gjykatës Kushtetuese. Por shtoi se sa më shumë njihen mandatet e kryetarëve të rij, aq më i pamundur bëhet 13 tetori si një datë reale.

 “Ka pasur vendime të gjykatave që kanë konfirmuar mandatet e kryetarëve të bashkive, por ka pasur edhe një vendimmarrje tjetër nga gjykata. Sa më shumë kalojnë ditët, sa ma shumë vendimmarrje për njohjen e mandateve të kryebashkiakëve aq më e vështirë dhe i pamundur behet 13 tetori të jetë një datë reale. Kjo vjen në kushtet kur nuk ke Gjykatë Kushtetuese që mund ta kishe futur në lojë për të kërkuar pavlefshmëri të vendimmarrjeve të marra deri tani, kështu që nuk ka zgjidhje tjetër. Por gjithsesi mundësitë janë po të ulen dhe të bien dakord palët.” – tha Ristani /realstory.al

Basha ndryshon mendje prapë: Jo zgjedhje në 13 tetor (me Ramën)

Lulzim Basha  ka shkruar një Twitter për vizitën e tij në Vienë, tre ditë pas publikimit të lajmit se liderët e opozitës po zhvillojnë një vizitë në kryeqytetin e Austrisë, ku do të takonin drejtues të lartë të OSBE. Basha shkruan në mesazhin e tij: “Në Vienë me përfaqësuesit e lartë të OSBE ndamë shqetësimin për krizën dhe qëndrimin e pandryshuar të Opozitës së Bashkuar: zgjedhje të lira e të ndershme me një qeveri tranzitore pa Edi Ramën, që garanton lirinë e votës dhe ndëshkimin nga drejtësia të hajdutëve të zgjedhjeve”.

Pra, kreu i PD rikthehet te retorika “Rama ik”, ndonëse ditët e fundit ka lënë të kuptohet se ishte gati të futej në zgjedhje (ndoshta  dhe me Ramën Kryeministër). Një deklaratë të tillë e bëri disa ditë më parë pas një takimi me Presidentin Ilir Meta, ku pas 40 minutash bisedë kokë më kokë me kreun e shtetit, Basha u shpreh se 13 tetori ishte një mundësi për të zgjidhur  krizën. Megjithatë, deklarata e Bashës duket se del kundër asaj të Kryemadhit, që tre ditë më parë në Durrës, por dhe të mërkurën në Berat, foli për fushatë elektorale të LSI dhe përgatitjen për zgjedhjet.

Ndërkohë, të enjten Ilir Meta i bëri thirrje opozitës  nga Durrësi të jetë e përgjegjshme dhe të marrë pjesë në zgjedhjet e 13 tetorit. “Opozita të jetë e përgjegjshme për të marrë pjesë në këto procese demokratike. Në rast se opozita nuk dëshiron të marrë pjesë në një proces të ligjshëm, opozita fjala vjen Partia Demokratike, LSI-ja, disa parti të tjera, atëherë jam i sigurt që do të inkurajohen disa forca të tjera politike, të cilat të paktën të kenë kandidatë në të gjithë Shqipërinë e të regjistrohen në kohë” tha Meta.

Ky qëndrim i Lulzim Bashës vjen në një moment, ku opozita po përpiqet me çdo mjet ligjor për të nxjerr të pavlefshëm 30 qershorin, dhe në krahun tjetër, kërkon ndërmjetësim ndërkombëtar për zgjidhjen e krizës. Nuk dihet ende nëse qëndrimi i Bashës për “Rama ik”, pas takimeve në Vjenë,  është edhe i aleatëve të tjetër të opoziës dhe veçanërisht Monika Kryemadhit, megjithëse në mesazhin e tij, Basha saktëson “qëndrim i pandryshuar i opozitës së bashkuar”.

Skip to toolbar