Kolegji Zgjedhor rrëzoi kërkesën e Partisë Bindja Demokratike të shpallte të pavlefshme zgjedhjet në Bashkinë e Selenicës. Kjo ka sjell reagimin e koordinatorit të saj, Astrit Patozi, i cili tha se e priste këtë vendin edhe pse pretendimet e tyre për parregullsi dhe deformim të procesit zgjedhor ishin të drejta dhe të mbështetura fort në Kodin Zgjedhor. Patozi tha se si garues në këto zgjedhje u bënë dëshmitarë të manipulimit dhe deformimit të procesit të zgjedhjeve duke e cilësuar këtë si “një sëmundje të rëndë të politikës shqiptare prej vitesh”. Ai bëri thirrje për një reformë të thellë zgjedhore që do të ishte e vetmja zgjidhje që do të ndalojnë një proces të deformuar dhe të siguronte një proces zgjedhjesh normal në të ardhmen.
“Duke qenë garues në këto zgjedhje, ne u bëmë dëshmitarë të manipulimit të vullnetit të zgjedhësve, një sëmundje e rëndë kjo e politikës sonë, që vijon prej shumë vitesh…Manipulimi i rezultatit të 30 qershorit e bëjnë të domosdoshme nevojën e një reforme të thellë zgjedhore, si kushti i parë për të pasur një proces normal në të ardhmen. Shqipëria duhet të hyjë në një cikël të ri duke i dhënë fund këtij sistemi të kalbur politik, i cili për shkak se është në grahmat e fundit, ka prodhuar këtë krizë të pashembullt, që po i shkakton shumë kosto vendit. BINDJA DEMOKRATIKE është e vendosur që të japë kontributin e vet në funksion të këtij qëllimi madhor, i cili më shumë se për të zgjidhur hallet e partive politike, duhet t’i shërbejë të gjithë shoqërisë shqiptare, që vuan prej shumë vitesh padrejtësisht pasojat…Natyrisht, që vendimet e KQZ-së në fillim dhe sot të Kolegjit Zgjedhor nuk sollën asnjë surprizë për ne dhe për publikun, ndonëse pretendimet tona ishin të drejta dhe të mbështetura fort në Kodin Zgjedhor.”- shkruan Patozi